Hapet dosja: Zbardhet pas çerek shekulli tentativa e vrasjes në 1997, autori kapet me pantallona të shkurtra e kanotiere

Një 49 vjeçar është arrestuar për vrasje të mbetur në tentativë të kryer kur ai ka qenë i ri.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në datë 24 qershor 1997 në Fier ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh, ngjarje që është arritur të zbardhet dhe dokumentohet pas çerek shekulli.
Rapi Muço u arrestua nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet e Rënda në DVP Fier, në kuadër të operacionit të koduar "Vazhdimësia".
“Pas rifillimit të çështjes penale, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Fier, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, pas një pune operative dhe hetimore intensive, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 24.06.1997, në Fier, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, informoi sot policia.
Ndaj 49 vjeçarit banues në Mbrostar Ura, Fier u ekzekutua masa "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me paramendim", e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje".
Nga pamjet e vëna në dispozicion nga policia duket që arrestimi i tij është bërë në banesë pasi është shoqëruar në komisariat me pantallona të shkurtra e kanotiere.


