Vallëzimi tradicional Kirgistan ndihmon në lehtësimin e sëmundjeve kronike të mushkërive (Video)

Pas shumë ditëve në një nga spitalet më të mëdha të Kirgistanit, Aidai Temiraly Kyzy, një infermiere 24-vjeçare, vendosi muzikën dhe drejtoi pacientët e saj të kërcenin Kara Jorgo, vallëzimin kombëtar të Azisë Qendrore.

Ky kërcim përfshin një sërë lëvizjesh të trupit dhe i lë të gjithë të buzëqeshur, por Kyzy nuk po e bën këtë për argëtim. Sesioni është pjesë e një programi trajtimi që u ofrohet njerëzve me sëmundje të rëndë pulmonare obstruktive kronike (COPD), një gjendje e zakonshme, e parandalueshme dhe e trajtueshme e problemeve me mushkëritë.

“Pothuajse të gjithë pacientët, para se ta bënin kërcimin, ankoheshin për kollë dhe thonin se nuk kanë aftësi fizike,” thotë ajo. Por, në ditën e dytë apo të tretë, përmirësimi ishte i dukshëm.

COPD zhvillohet nga mosha e mesme e tutje; simptomat përfshijnë kollë kronike, shpesh me gëlbazë dhe lodhje. Zakonisht shkaktohet nga pirja e duhanit, por edhe nga ndotja e ajrit. Nuk ka shërim dhe nëse nuk trajtohet mund të çojë në vdekje të parakohshme. Nëse zbulohet herët, mund të trajtohet dhe menaxhohet.

Është një nga tre shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën, dhe 90% e vdekjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme . Në nivel global, ka 3 milionë vdekje në vit nga COPD, por ky numër pritet të rritet në 5.4 milionë deri në vitin 2060, sipas raportit të fundit nga Iniciativa Globale për Sëmundjet Kronike Obstruktive të Mushkërive.

Ka pasur një serë rastesh të cilat kanë treguar ndikimin pozitiv të kërcimit në shëndetin e pacientëve. Për shembull Tokhorbek Makeshov, 48 vjeç, vuri re se shëndeti i tij po përkeqësohej në vitin 2015, por mendoi se ishte thjesht një kollë duhanpirësi. Në vitin 2016, ai po kollitej me gëlbazë dhe po merrte frymë gjithnjë e me më shumë vështirësi. Mjeku i tij i përgjithshëm e dërgoi atë në spitalin e Bishkek ku qëndroi për 10 ditë dhe u diagnostikua me COPD.

Spitali më vonë e ftoi të merrte pjesë në programin e rehabilitimit pulmonar, i cili në atë kohë ishte ende pjesë e një projekti kërkimor. Ai thotë: “Nuk e besoja se do të funksiononte. U befasova kur pashë se ushtrime të tilla të thjeshta mund të përmirësonin shëndetin tim të frymëmarrjes."