Dy ditë në gatishmëri për Conference League, Gledis Nano do shpërblejë policët

Të gjithë punonjësit e policisë, të cilët përgjatë këtyre dy ditëve kanë qenë në shërbim të plotë për të garantuar rendin dhe sigurinë do të marrin një shpërblim.

Ky është premtimi i drejtorit të Përgjithshëm Gledis Nano, i cili bëri bilancin në mënyrën e menaxhimit të situatës përgjatë finales së Conference League.

"Është menduar një shpërblim për të gjithë punonjësit e policisë që janë angazhuar në këtë shërbim dhe po ndjekim të gjithë procedurat për të arritur në një konkluzion lidhur me shpërblimin."

Dy shtetas holandezë u arrestuan nga policia e Tiranës pas një sherri me sende të forta. Më shumë të shoqëruar kishte nga radhët e tifozëve italianë, të cilëve gjatë kontrollit ju gjetën dhe armë të ftohta.

"Kanë ndodhur 3 incidente, konkretisht: goditja me mjete të forta ndërmjet një grupi të tifozëve të Holandës dhe qytetarëve shqiptarë, për të cilin u arrestuan dy tifozë holandezë; përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh holandezë; përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh italianë.Siç jeni në dijeni, reagimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë profesional dhe vendimtar, sepse është parandaluar në kohë përplasja me pasoja e grupeve të tifozëve të të dy skuadrave, të cilëve Policia iu sekuestroi thika, shkopinj druri, leva hekuri, pllaka guri, shishe qelqi e sende të tjera të rrezikshme për jetën e shëndetin".

Sa u përket tifozëve që u depërtuan nga vendi ynë, Nano tha se ndaj tyre do të nisë një hetim në vendin e origjinës.

"Të gjithë tifozët që janë përfshirë në akte dhune, materialet u janë referuar në prokurori. Patjetër që u deportuan dher ajo masë u bë me dije nga ne. Listat dhe gjeneralitetet e këtyre tifozëve do tu kalojnë vendeve dhe agjencive partnere me qëllim që ata të kryejnë verifikimet e tyre dhe të marrin masa që ngjarje të tilla dhune të mos ndodhin në aktivitete që do të organizohen."

Në këtë eveniment sportiv u amngazhuan 2800 forca policie. Në ndihmë erdhën edhe një sërë forcash nga Kosova si dhe rreth 60 oficerë të dy vendeve, Roterdamit dhe Romës.

Nga përplasjet mbetën të plagosur 19 efektivë policie.