Propozimi i Kissingerit për Ukrainën: Uluni në bisedime, merrni në konsideratë lëshime në Lindje

Ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger, dhe një nga figurat më të njohura të diplomacisë botërore, bëri një propozim këtë javë për të zgjidhur luftën në Ukrainë.

Nga forumi i Davosit, diplomati 98-vjeçar, sugjeroi se Ukraina duhet të ulet brenda muajve të ardhshëm në bisedime me Rusinë dhe të marrë në konsideratë edhe lëshime territoriale.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Negociatat duhet të fillojnë në dy muajt e ardhshëm, përpara se të shkojmë drejt trazirave dhe tensioneve që nuk do të kapërcehen lehtë. Vazhdimi i luftës përtej kësaj pike nuk do të ketë më lidhje me lirinë e Ukrainës, por do të jetë një luftë e re, kundër vetë Rusisë”, tha diplomati amerikan.

Sugjerimi i diplomatit amerikan që bisedimet e paqes të nisin brenda dy muajsh ku të mos përjashtohet edhe lëshimi territorial në Lindje, ka marrë përgjigje të menjëhershme nga presidenti ukrainas Zelensky.

Përgjigjja e tij ishte e ashpër, teksa e cilësoi Kissingerin si relike të së shkuarës, duke hequr paralele mes vitit 2022 dhe vitit 1938.

"Kalendari i Kissingerit nuk është për 2022-shin, por për 1938-ën"—tha Zelensky, duke iu referuar marrëveshjes së Mynihut, e cila u nënshkrua nga Britania, Franca, Italia dhe Gjermania në 1938-ën, dhe i hapi rrugën Gjermanisë naziste për të aneksuar territorin perëndimor të Çekosllovakisë.

"Çfarëdo që të bëjë shteti rus, gjithmonë do ta gjeni dikë që thotë 'Le të marrim parasysh interesat e tij. Kemi përshtypjen se zoti Kissinger... mendon se nuk po flet me një audiencë në Davos, por në Mynihun e ’38-ës." vijoi më tej presidenti. 

Henry Kissinger është një nga diplomatët që i përket shkollës realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe me ndihmën e tij dhe të administratës Nixon u bë e mundur që Kina dhe Bashkimi Sovjetik të ndaheshin në kampin komunist, duke sjellë më vonë edhe rrëzimin e perandorisë kriminale komuniste.