“Beteja” sportive në Tiranë, fluks tifozësh të Romës e Feyenoord nga ajri, toka e deti

Në Tiranë kanë nisur ethet e finales së Konferencë League, evenimentit futbollistik që organizohet për herë të parë në vendin tonë. 24 orët para se ekipet të zbresin në fushë, tifozët e Romës dhe Fyenordit po vijnë nga ajri, toka dhe deti.

Nga ajri, toka dhe deti tifozët e Romës dhe Feynord po mbërrijnë në Shqipëri për tu bërë dëshmitarë të finales së madhe të Konferencë League që do të mbahet në Tiranë.

Rreth 100 tifozë, mes të cilëve 35 ultras të Romës zbarkuan mëngjesin e së martës në Portin e Durrësit me tragetet  e Linjës së Barit.

Mbërritja e grupit të parë të tifozëve ultras u monitorua nga drejtori i Policisë së Durrësit dhe përfaqësues të policisë holandeze dhe italiane.

“Kemi marrë masa për t’i shoqëruar. Deri më tani po mundohemi që të jemi korrekt me lëvizjen e tyre dhe vendqëndrimet. Do t’i shoqërojmë në Tiranë nesër.”

Përgjatë dy ditëve pritet të zbarkojnë më shumë 500 tifozë në mënyrë të organizuar dhe dhjetëra të tjerë në grupe më të vogla.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet që veprojnë në territorin portual dhe homologët nga Italia e Holanda thonë se po zbatojnë një plan masash të detajuar sigurie.

Autoritetet presin që për të ndjekur finale e Konferencë League në Shqipëri të vijnë deri në 100 mijë tifozë nga Italia, Holanda dhe vende të tjera evropiane.