Polici vret kolegun, autori e qëlloi me 5 plumba viktimën

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e sotme (23- Maj) në ambientet e komisariatit Nr.R në rrugën "Mine Peza", ku Çaush Saliasi ka humbur jetën në spital pasi u plagos rëndë me armë zjarri nga kolegu i tij Ludian Zaimi.

Ky i fundit ka qëlluar 5 herë me armën e shërbimit drejt Saliasit i cili ka humbur jetën në sallën operacionit në spital.

Burime bëjnë me dije se ka qenë një konflikt banal që çoi deri në të shtënat me armë zjarri ku si pasojë polici i patrullës së përgjithshme humbi jetën.

Sipas të dhënave autori ka një vit e gjysmëm në polici,  ndërsa viktima kishte që 20 vjet në këtë detyrë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.