Polici u qëllua brenda ambienteve të komisariatit Nr.3 nga kolegu, detaje nga ngjarja e rëndë në Tiranë

Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e sotme (23- Maj) në ambientet e komisariatit Nr.R në rrugën "Mine Peza", ku Çaush Saliasi ka humbur jetën në spital pasi u plagos rëndë me armë zjarri nga kolegu i tij Ludian Zaimi.

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi Ludian Zaimi, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Çaush Saliasi, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra,  punonjësi i Policisë Çaush Saliasi. ka ndërruar jetë në spital.”- njofton policia.

Mësohet se Saliasi, ka ndërruar jetë në sallën e operacionit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.