Plagosje në Kombinat, efektivi i FNSH-së qëlloi me armën e shërbimit, sherri pas rakisë
Autori i dyshuar plagosjes së 60-vjeçarit në Kombinat është punonjës i FNSH.
Burimet për Ora News bëjnë me dije se bëhet fjalë për Lavdosh Gjylën. Sipas të njëjtave burime efektivi Gjyla dhe i plagosuri kanë qenë duke pirë raki, janë zënë dhe më pas e ka qëlluar me armën e shërbimit.
Efektivet e komisariatit Kombinat kanë bërë arrestimin e menjëhershëm të Lavdoshit, i cili tashmë ndodhen në komisariat.
"Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur. Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbiikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes" njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45, (23 maj) ku në ambientet e spitalit për ndihmë mjekësore shkoi Myrteza Lika, banues në Kombinat.
Dyshohet se 60-vjeçari, i cili ishte plagosur në këmbë, vuan nga probleme të shëndetit mendor.
