Rama: Flisni ju për Butrintin që e quanit Bathoren mrekulli e 8-të; Berisha i përgjigjet: Mos u fsheh pas Fondit
Ligji për dhënien e një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit me koncension shkaktoi debate të forta dhe akuza mes palëve në Kuvend.
Teksa iu referua deklaratave të ish kryeministrit Sali Berisha, Rama u shpreh se flet dikush për Butrintin që Bathoren e ka quajtur mrekullinë e tetë të botës. Ai tha se projekti për butrintin do të vazhdojë sepse fut trashëgiminë tonë në një zonë tjetër.
Edi Rama: "Projekti i kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit është bërë me kërkesë të UNESKO-s në mënyrë që të hiqeshin nga zona e parkut të gjitha ato pjesë të kalbëzuara për shkak të ndërtimtarisë masive pa leje. Ne kemi akoma në parlament një personazh që e quante Bathoren mrekullin e tetë të botës dhe për të cilin e ka thënë në sy të të gjithëve se është i vetmi qytet i cili thotë se u ndërtua i gjithi pa leje".
Në replikë Berisha i tha ramës që të mos fshihet pas Fondit Shqiptaro-Amerikan e pas ministrive pasi është ai kreu i të gjitha aferave.
Sali Berisha: "8 hektar që të gjithë për klientelën e Edi Ramës. Është me emër, që të gjitha fijet të çojnë tek Il Padrino tek ti si opadrino i të gjitha mega aferave në këtë vend."
Në Kuvend nuk munguan as leksionet e historisë.
Ina Zhupa: "Lexo Neritan Cekën dhe Hasan Cekën "Butrinti ka identitet kulturor të kaonisë epiriote, nuk zëvendësohet dot me identitet joshkencore që e quajnë butrintin grek. Nuk jepet historia dhe identiteti tek një privat që ta shkruajë ai si të dojë."
Dhënia me koncesion e Butrintit u kundërshtua edhe nga përfaqësues të shoqerisë civile, të cilët paraditen e së hënës protestuan para godinës së parlamentit.
