Prova që zbuloi Dumanin në vrasjen e Bujar Çelës, ja sistemi që skanoi brenda 8 ditëve imazhin e tij
Prova e vetme që çoi në identifikimin e plotë dhe të pakundërshtueshëm të Nuredin Dumanit, në vrasjen e Bujar Çelës, ishte një gjurmë gishti e fiksuar në një kartmonedhë 50 euro, që prokuroria e Elbasanit mundi tia sekuestrojë një punonjësi të një karburanti, ku para vrasjes së Çelës, Nuredin Dumani, kishte furnizuar me karburant automjetin.
Vetë Dumani në dëshminë e tij dhënë në SPAK, e pranon këtë fakt dhe në tërësi të gjithë ngjarjen duke treguar të plotë dinamikën e vrasjes së vëllait të Talo Çelës.
Krimin ai thotë se e ka kryer me Besjan Xhixhën dhe Enver Divën, ndërsa informator për vendodhjen e Bujarit, ishte Eljo Bitri.
Ndërsa dy financuesit e vrasjes prej 60 mijë euro, sipas Dumanit janë Erjon Alibej dhe kunati i tij, Arjan Spahiu që jetonte në Belgjikë. Gjurma e gishtit në kartëmonedhë është fiksuar në 17 shtator 2020.
Ndërsa në 25 shtator 2020 është arritur të zbulohet shkencërisht se kjo gjurmë i përkiste Nuredin Dumanit.
Falë një sistemi tepër inteligjent të quajtur “Apis Papillon”, që shërben për dedektimin e imazheve të gjurmëve të gishtave, pëllëmbëve dhe imazhit të fytyrës, policia e Shtetit brenda 8 ditëve ka zbuluar se një nga pjesëmarësit në vrasjen e Bujar Çelës, ishte Nuredin Dumani.
Sistemi inteligjent dedektoi plotësisht të dhënat e Dumanit, duke i treguar hetuesve dhe imazhin e fytyrës së tij.
Por pavarësisht kësaj prove, policia dhe prokuroria e Elbasanit, nuk arrinin të lokalizonte dhe arrestonte Dumanin.
Hija e tij, shfaqej thuajse në çdo ngjarje kriminale që ndodhete në segmentin rrugor, Durrës-Rrogozhinë-Elbasan, ndërsa Dumani fshihej mes Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Kosovës.
Ora News mëson se banesa e fundit që Dumani, ka përdorur si bazë për tu fshehur ishte pikërisht një apartament në katin e 4 të një pallati në Fier.
Apartamenti ku Dumani qëndronte para dhe pas ngjarjes i përket shtetasit Altin Kule nga Fieri, ky i fundit preson me precedentë penalë në këtë zonë.
Shtëpia është kontrolluar me imtësi nga policia, duke u sekuestruar prova të pakundërshtueshme për veprimtarinë kriminale të Nuredin Dumanit dhe bashkëpuntorit të tij, Enrik Hoxhaj.
