Operacioni i SPAK, gazetarja: Ka dyshime për dekonspirim, kriminelët kanë informatorë në policinë e shtetit
Në kuadër të operacionit të koduar "Golden Bullet" (Plumbi i artë) i ndërmarrë sot (19 maj 2022) janë ekzekutuar 18 nga 32 urdhër arrestet e firmosura dhe miratuara me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Mbeten ende pa u ekzekutuar 14 të tjera.
Në lidhje me operacioni ka dhënë detaje, gazetarja e Ora News, Keti Banushi e cila tha se ka dyshime të forta për dekonspirim pavarësisht se nuk u pranua në deklaratën e dhënë ditën e sotme nga Gledis Nanon.
Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Banushi tha se në SPAK janë 18 dosje të vjetra, ku brenda tyre janë emra të përfolur për krime të rënda.
Keti Banushi: Arrestimet vijnë pas arrestimit të Nuredin Dumanit, një emër i njohur dhe nga ajo që konfirmoi policia, në momentin e arrestimit të tij ai ishte nxjerrë në pritë nga persona të cilët e kishin urdhëruar për të kryer vrasjen e radhës të cilën nuk e kreu. E ndoshta kjo ka ndikuar që pasi ka shpëtuar dhe vetë nga plumbat që ka marrë, Dumani ka pranuar të bashkëpunojë dhe të flasë.
Nuk është vetëm Nuredin Dumani, janë 18 dosje të vjetra. Në listën e personave që nuk janë arrestuar janë emra të cilët janë përfolur për të gjitha krimet. Shpeshherë dosjet janë mbyllur pa autorë sepse nuk ka pasur prova të mjaftueshme për t’I vënë përpara drejtësisë. Provat që ka SPAK, janë aq të forta sa ata mos t’I shpëtojnë kësaj here drejtësisë, nëse vërtetë I kanë kryer ato krime.
Fakti që 14 persona nuk janë prangosur, janë arrestuar 18 por 9, janë nëpër burgje, tregon se ata janë më të avancuar se policia e shtetit në informacion dhe për më tepër dyshoj se kanë informatorë mjaft të besueshëm në policinë e shtetit.
Ka dyshime të forta për dekonspirim, pavarësisht faktit që nuk u pranua. Këtë e la të nënkuptohet vetë Gledis Nano në fjalën e tij.
Ajo shtoi se krahas masave të sigurisë prokuroria ka kontrolluar bizneset e personave që janë dhënë urdhër-arrestet.
Keti Banushi: Është e patolerushme fakti që Talo Çela nuk arrestohet nga policia, por ndërkohë janë gazetarët ata që e gjejnë. Kjo tregon se ka informacion dhe ata nuk është se janë jashtë Shqipërisë.
Krahas masave të sigurisë, prokuroria ka kontrolluar bizneset e tyre, banesat e tyre dhe pritet një informacion se çfarë është gjetur brenda banesave të tyre.
Përderisa janë firmosur urdhër arrestet ata duhet të ekzekutohen.


