Betonieret “mbysin” Tiranën/ “Astiri” e “Kombinati” gumëzhijnë nga mjetet e tonazhit të rëndë
Mjetet e rënda dhe betonieret që qarkullojnë pa orar drejt kantiereve të ndërtimit në Tiranë gjatë gjithë ditës, po rëndojnë qarkullimin dhe po shtojnë ndotjen në kryeqytet. Vëzhgimi i Ora News në zonën e kombinatit dhe të Astirit dokumentoi trafikun e rënduar dhe ndotjen e mjeteve të tonazhit të rëndë që lëvizin lirisht në zonat e banuara në mes të ditës.
Betonieret dhe mjetet e tjera të rënda që po lejohen të qarkullojnë brenda Tiranës pa orar gjatë ditës po rrisin ndotjen dhe po bllokojnë trafikun në kryeqytet.
Për 31 minuta nga zona e Astirit deri në Kombinat grupi i xhirimit të Ora Nevvs regjistroi qarkullimin e 12 mjete të tonazhit të rëndë, përfshirë edhe dy betoniere.
Pra çdo 2 minuta e gjysmë një prej këtyre mjeteve shkakton bllokim dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugët e kryeqytetit.
Siç tregojnë pamjet dyndja e mjeteve të rënda krijon radhë të gjata makinash nga pas.
Ndërkaq kjo betoniere e ndaluar në krah të rrugës emeton ndotje të konsiderueshme brenda qytetit.
Zona e Astirit dhe Kombinatit duket se përballen me trafikun, por edhe me zhurmën e ndotjen e shkaktuar nga këto mjete të cilat disa muaj më parë u ndaluan të qarkullojnë gjatë ditës, por që më pas ky vendim u harrua për arsye që nuk dihen.

