Sulmet e politikës ndaj drejtësisë, Metani: Denoncimet të mos bëhen në media por në institucione
Politika nuk duhet të bëjë deklarata e sulme ndaj drejtësisë, por duhet të adresohet me kallëzime penale konkrete në këto institucione. Kështu është shprehur kreu i ILD-së, Artur Metani, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë në Parlament. Ai tha se ka pasur ndëshkime për gjyqtarët që kanë liruar nga burgjet personat me rrezikshmëri shoqërore
Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në adresë të drejtësisë, duke apeluar që denoncimet të mos bëhen në media por në institucionet kompetente.
"Unë mendoj që do ta ndajmë në tre nivele këtë raport që ka politika dhe institucionet politike përgjithësisht me punët e gjyqësorit. Së pari janë intimidimet ligjore apo institucionale dhe këto janë fenomene që unë nuk i shoh. Nuk shoh sulme ligjore të nisura ndaj organeve të drejtësisë. Niveli i dytë janë denoncimet. Denoncimet bëhen publikisht. Ajo që unë sugjeroj në raport është që denoncimet, sidomos nga institucionet politike dhe publike, të mos bëhen në media por të vijnë sipas sistemit që ne kemi ngritur. Të vijnë te Inspektori i Lartë i Drejtësisë apo në çdo institucion tjetër që ata mendojnë, por të respektohet sistemi që ne kemi ngritur dhe kjo jo për të respektuar as institucionin, por për të respektuar një standard që efektin do ta japë jo nesër, por pas 10 vitesh".
Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, Artur Metani, u shpreh se nuk është ndjerë i kërcënuar apo i intimiduar nga politika.
"Jo sepse Kushtetuta dhe ligji më kanë dhënë garancinë që të mos kemi asnjë ndjesi intimidimi ligjor nga institucionet politike apo nga kushdo tjetër që mund ti bëjë presion Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në çdo formë. Po ka presion nga brenda vetes, kam presion nga familja, kam presion nga shoqëria, kam presion nga ju në kuptimin e mirë të fjalës për pritshmëritë që ju keni ndaj meje personalisht por edhe ndaj institucionit.Këto janë presione të forta me të cilat ne flejmë në darkë dhe zgjohemi në mëngjes."
Metani foli edhe për lirimet me kusht që gjykatat kanë urdhëruar për persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas kreut të ILD-së, 3 magjistratë janë shkarkuar dhe 1 tjetër është nën hetim për shkak të këtyre vendimeve.
Për sa i përket hartës gjyqësore, Metani tha se nuk kishte informacion, pasi ende nuk i është dërguar zyrtarisht drafti me ndryshimet e reja.

