Oficeri Palushi futi armën tip “TT” në servisin e Manahasëve, dëshmitar në vrasjen e policit Hoxha në Lezhë
Leonard Palushi, shefi i sektorit të vrasjeve në qarkun e Lezhës, ra në pranga në operacionin e SPAK, nga ku u evidentuan 8 grupe të rrezikshme kriminale, të shtrira kryesisht në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Palushi, që më parë ka shërbyer si specialist në sektorin e vrasjeve, në drejtorinë e policisë Elbasan, dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë, pikërisht gjatë kohës që punonte në Elbasan.
Zyrtarisht, kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se efektivi akuzohet për shpërdorim detyre, por nuk dha detaje të tjera.
Ndërsa mësohet se sipas dëshmisë të Nuredin Dumanit, Leonard Palushi, është oficeri që ka futur armën tip TT të vrasjes së Emiljano Ramazanit, në servisin e Seit dhe Albert Manahasës në Peqin.
Gjetja e armës në këtë servis, solli dhe arrestimin e babë e bir dhe pas disa muaj ata u liruan
Por emri i Leonard Palushit nuk është i panjohur nga media. Kjo pasi ishte një prej kolegëve të nënkomisarit Saimir Hoxha, dhe ndodhej me të ditën kur Hoxha u vra nga Aldi Rama, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Lezhë.
Për zbulimin e këtyre grupeve kriminale, hetuesit tërhoqën dhe analizuan 18 dosje penale që datojnë që në vitin 2011. Hetimet vijojnë ende, ndërsa nga 32 urdhërarreste, janë ekzekutuar 18 prej tyre.

