Rindërtimi i shkollës “Sami Frashëri” nën hetim nga SPAK, në pyetje punonjësit e bashkisë dhe IMT
Mungesa e studimit të fizibilitetit dhe nisja e punimeve pa lejen e ndërtimit janë problemet kryesore të zbuluara nga SPAK në procedurën e shembjes dhe rindërtimit të shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Një vëzhgim i Ora News në terren tregon ndërkaq se në punimet e kryera është kryer edhe një tjetër shkelje, pasi nuk janë zbatuar distancat mes objekteve.
Shembja dhe rindërtimi i shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë është bërë objekt hetimesh nga SPAK që ka marrë në pyetje së fundi zyrtarët e bashkisë Tiranë dhe të IMT në lidhje me procedurat e ndjekura.
Mungesa e studimit të fizibilitetit dhe nisja e punimeve pa lejen e ndërtimit janë problemet kryesore të zbuluara nga SPAK sa i përket ndërtimit të shkollës Sami Frashëri.
Në verifikim janë procedurat tenderuese, por edhe ato të shembjes dhe rindërtimit të godinës.
Nga verifikimi në terren duket qartë se nuk është rrespektuar dhe distanca mes objekteve të tjera duke shkelur sërish ligjin.
Sipas dokumenteve rezulton se leja e ndërtimit është miratuar në mars të vitit 2022, pra kur objekti ishte në fazën finale të ndërtimit.
Sipas burimeve mësohet se zyrtarë të drejtorisë së Urbanistikës pranë bashkisë Tiranë dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të kësaj bashkie, janë vënë në hetim nga prokuroria e Posaçme SPAK, janë nën akuzë për “Shpërdorimin e detyrës.
Punimet për rindërtimin nisën në vitin 2021, ku bashkimi i operatorëve,”Startek” sh.p.k – “B93”shpk – “Riviera” sh.p.k – “Duka” s.hp.k – “Viante konstruksion” – “AL -Asfalt “sh.p.k u shpallën fitues me ofertën prej rreth 4.5 milionë euro.
Por kryebashkiaku veliaj i ka mohuar këto akuza duke akuzuar SPAK se po bllokon rindërtimin, duke zhvilluar hetime për një WC.
Në lidhje me tenderin ka reaguar edhe opozita duke theksuar se vlera e rindërtimit u rrit deri në 4.5 mln euro, 8 herë më e lartë se sa shkollat e ngjashme që ndërtohen në BE.


