Publikohet fotografia e parë e një vrime të zezë në qendër të galaktikës sonë
Për herë të parë është fotografuar imazhi i një vrime të zezë gjigante në qendër të galaktikës sonë që njihet edhe si “Rruga e Qumështit.
I njohur si Shigjetari A*, objekti është katër milionë herë më i madh se masa e Diellit tonë. Në foto shihet vrima, e rrethuar nga drita që vjen nga gazi super i nxehtë i përshpejtuar nga forcat e pafundme gravitacionale.
Astronomët besojnë se të gjitha galaktikat, përfshirë tonën, kanë këto vrima të zeza në qendër të tyre, ku drita dhe materia nuk mund të shpëtojnë, çka e bën shumë të vështirë fotografimin e tyre.
Feryal Ozel nga Universiteti i Arizonës e quajti vrimën e zezë, “gjiganti i butë në qendër të galaktikës sonë” teksa publikoi imazhin. Vrimat e zeza gëlltisin material galaktik, por Ozel tha se kjo është “duke ngrënë shumë pak”.
Vrima e Zezë në Rrugën e Qumështit quhet Sagittarius A(asterisk), pranë yjësive të Shigjetarit dhe Akrepit. Ajo është 4 milionë herë më e madhe se dielli ynë”, deklaroi Katherine Bouman, astronome, gjatë një konference për shtyp.
Kjo nuk është fotografia e parë e një vrime të zezë. I njëjti grup astronomësh publikoi në vitin 2019 një të tillë nga një galaktikë larg 53 milionë vite dritë. Vrima e zezë në Rrugën e Qumështit është shumë herë më pranë, rreth 27.000 vjet drite larg. Një vit dritë është 9.5 triliardë kilometra.
Kostoja e këtij projekti është afërsisht rreth 60 milionë dollarë, me 28 milionë prej tyre që u financuan nga Fondacioni Shkencor i SHBA-së.
