Finlanda aplikon për në NATO
Siç ishte paralajmëruar, Finlanda ka vendosur pro anëtarësimit të vendit në Aleancën e NATO-s.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja e vendit Sanna Marin përmes një deklarate të përbashkët të enjten në mëngjes konfirmuan dëshirën për t’u bërë pjesë e NATO-s pa vonesa.
Helsinki u përmbajt nga kërkesa për t’u anëtarësuar në Aleancë gjatë Luftës së Ftohtë, por aspirata mori kthesën pas agresionit rus në Ukrainë.
Rusia e cila ndan një kufi tokësor prej rreth 1340 kilometrash me Finlandën e ka konsideruar zgjerimin e NATO-s si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Moska paralajmëroi Helsinkin se do të humbiste statusin e tij si një ndërmjetës gjatë shekullit të kaluar.
Kremlini është zotuar vazhdimisht që t’i përgjigjet zgjerimit të NATO-s.
Çdo vend anëtar i NATO-s do të duhet të miratojë kërkesën e Finlandës përpara se Helsinki të bëhet anëtare e bllokut.
Edhe vendi tjetër nordik, Suedia pritet të aplikojë për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut 16 maj.
Kështu të paktën bëjnë me dije nga mediet vendase të cilat citojnë burime të larta shtetërore.
Hyrja e Suedisë dhe Finlandës do t'i sigurojë Aleancës së Atlantikut të Veriut kontroll mbi pjesën më të madhe të bregdetit të Detit Baltik.
Nga Ministria e Jashtme ruse kanë paralajmëruar se anëtarësimi i dy vendeve skandinave në NATO do të shkaktonte një konfrontim të mundshëm mes Aleancës dhe Rusisë.
