Demokratët dështojnë me abortin

Manovra e demokratëve për ta lënë çështjen e abortit në dorë të Shtëpisë së Bardhë ka dështuar në votimin e mbrëmshëm të Senatit. 51 senatorë, përfshirë një demokrat votuan kundër projektligjit, i cili pritet t’i hapë rrugën Gjykatës së Lartë me shumicë konservatore për t’ia lënë çështjen e abortit 50 shteteve dhe jo qeverisë federale.

Demokratët në Senatin amerikan kanë dështuar për të miratuar një projekt-ligj për ta bërë të drejtën e abortit një ligj federal, pasi Gjykata e Lartë e vendit është gati ta kufizojë atë.

Senati i udhëhequr nga demokratët votoi 49 me 51, madje një senator nga të majtët, Joe Manchin iu bashkua republikanëve për mos votimin e projekt-ligjit.

Çështja e abortit, pas legalizimit të tij prej 50 vjetësh është kthyer në një pikë të nxehtë në Shtetet e Bashkuara dhe pritet të ndikojë në zgjedhjet afatmesme të nëntorit të këtij viti.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris e cila drejtoi votimin e senatorëve u shpreh e zhgënjyer me vendimin dhe i quajti republikanët ekstremistë.

Kamala Harris: “Për fat të keq, Senati nuk arriti të mbrojë të drejtat e grave për të vendosur vetë për trupin e tyre. Le të jemi të qartë, shumica e popullit amerikan beson në mbrojtjen e të drejtës së gruas. Ky votim sugjeron qartë se Senati nuk është vendi ku shumica e amerikanëve janë për këtë çështje. Ajo që po shohim në këtë vend, janë liderët republikanë ekstremistë të cilët po kërkojnë të kriminalizojnë dhe ndëshkojnë gratë për marrjen e vendimeve për trupin e tyre.”

Votimi i së mërkurës vjen pak përpara se nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme të takohen për herë të parë që kur një draft-opinion rrodhi nga institucioni më i lartë i drejtësisë amerikane.

Përmes rrjedhjes së draft-opinionit nga Supremja, gjyqtari i saj Samuel Alito i emëruar nga konservatorët mësohet të jetë shprehur se vendimi i 1973 që legalizoi abortin në të gjithë Amerikën ka qenë i gabuar.

Rrjedhja e draft-opinionit nxiti protesta masive nga organizatat dhe qytetarët, kryesisht mbështetës të Partisë Demokratike pranë Gjykatës së Lartë.

Drafti i opinionit nuk do të urdhëronte një ndalim mbarëkombëtar të abortit, por do t’i lejonte shtetet të vendosnin vetë rreth procedurës, e cila kundërshtohet nga demokratët dhe mbështeten nga republikanët.