Ilya, fëmija-hero që donte të sfidonte rusët, invalidi i kërkoi gjyshes të largohej me vëllezërit pas bombardimeve
Ilya është shtatë vjeç, ka një vështrim dinak dhe shumë guxim. Ai jeton në fshatin Davydky, në rrethin Narodnytsia të Ukrainës veriore, më pak se një orë nga kufiri me Bjellorusinë.
Kur shpërthyen sulmet me bomba, ai i kërkoi gjyshes që ta linte vetëm, sepse nuk kishte frikë nga rusët dhe do t'ia dilte.
Në realitet Ilya nuk ecën dhe nuk donte të ishte barrë për familjen e tij.
Drejtori i Caritas Spes i dioqezës së Kievit-Zhytomyr, At Vitalyi Uminskyi dhe motra Frantsyska Tumanevych, e cila koordinon ndihmën, i treguan ANSA-s historinë e këtij fëmije hero.
“Para disa ditësh takuam një gjyshe e cila po rrit tre nipër që nuk i kanë më prindërit, nëna është vrarë në dhjetor, para luftës dhe nuk ka asnjë lajm nga babai i tyre. Fshati ku ata jetojnë u bombardua ", thotë motra Frantsyska, duke i mirëpritur në zyrën e ngushtë të Caritas-it në Zhytomyr nga ku nisen çdo ditë mikrobusët e ndihmave për popullatat e izoluara ditët e fundit për shkak të bombardimeve, ardhjes së rusëve dhe më pas edhe nga minat.
“Më i vogli, Ilya, vuan nga atrofia e muskujve. Kur e kuptoi se situata po bëhej e rrezikshme, i tha gjyshes: “Ik se ia dal vetëm”. Në realitet ai e ndjente se ishte pengesë për t'u arratisur dhe donte që të paktën të shpëtonin dy vëllezërit”.
Gjyshja mbeti në shtëpinë e vogël, në të vërtetë pak më shumë se një dhomë, me të tre nipërit e mbesat, mes frikës së goditjeve që vinin dhe ushqimit që kishte filluar të mbaronte, sepse gjatë sulmeve askush nuk mund të dilte nga shtëpia.
“Kemi mundur të mbërrijmë tek ta vetëm pak ditë më parë, sepse rrugët janë të minuara, tregon At Vitalyi dhe fatkeqësisht morëm lajmin se pak ditë më parë një makinë e shpëtimit shpërtheu pikërisht për shkak të një mine.
Ilya, kur erdhën vullnetarët e Caritas-it, ishte shtrirë në një shtrat, sepse mizoria e luftës e vështirësoi më tej situatën tashmë të vështirë për atë familje dhe fëmija nuk u trajtua kurrë si duhet.
"Herën tjetër që sollëm një karrocë dhe paterica për ta ngritur, nuk mund ta imagjinoni sa i lumtur ishte," thanë vullnetarët e Caritas Spes, të cilët ishin thirrur nga vetë ushtria ukrainase.
Pasi u çlirua zona e Narodnytsia, ku rusët sulmuan dhe pushtuan fshatrat për dyzet ditë, ishin ushtarakët ata që i kërkuan ndihmë kishës katolike që këta njerëz të kishin ujë, ushqim dhe gjëra të nevojshme.
Ilya, fëmija-hero që donte të sfidonte rusët
Shtëpia e Ilyas nuk u shkatërrua plotësisht dhe ndihma lehtësoi kushtet e familjes. Por Caritas Spes tani ka një ëndërr, që fëmijën ta trajtojë Iliuscia në Evropë, në një spital të madh jashtë Ukrainës, ndoshta në Itali.
"Fëmija ka një karakter të shkëlqyer, rrezaton si diell pavarësisht gjithçkaje. Jemi të sigurt se ai mund të bëjë një jetë më të mirë se ajo që ka bërë deri më tani”, shpreson motër Frantsyska.
