Shtatë të plagosur në 24 orë në rrugët problematike të Lezhës

Të paktën 7 persona mbetën të plagosur në 24 orët e fundit në rrugët e Lezhës në disa aksidente. Bashkë me Tiranën, janë dy qarqet më problematike për numrin e ngjarjeve në rrugë.

TIRANE - LEZHE  Katër persona mbeten të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në një arë.

Aksidenti ndodhi në oret e para të mëngjesit të së mërkurës, 11 maj, në superstradën Lezhë-Shkodër, në afersi të fshatit Blinisht.

Dy të plagosurit në gjendje të rëndë po trajtohen në Spitalin Rajonal të Lezhës për shkak të plagëve në pjesë të ndryshme të trupit.

Ekspertët e policisë rrugore të Lezhës ndërkohë nisën verifikime për faktorët që ndikuan shoferin të humbë kontrollin e mjetit që përfundoi jashtë rrugës.

Dyshimet e para janë për tejkalim shpejtësie, por fjalën e fundit do ta thotë ekspertiza.

Ky ishte aksidenti i tretë në harkun e 24 orëvë në rrugët e qarkut të Lezhës.

Ndërkohë 3 persona mbetën të plagosur të martën si pasojë e dy perplasjeve të ndryshme në superstradën Lezhë-Laç.

Lezha dhe Tirana janë dy qarqet më problematike për numrin e lartë të aksidenteve sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa Durrësi është qarku me numrin më të lartë të viktimave.

46 persona kanë humbur jetën në rrugët e vendit në tre muajt e parë të vendit ndërsa 392 të tjerë kanë mbetur të plagosur

Sjellja e drejtuesve të mjeteve vijon të jetë problem në 93% rasteve.