Tabaku: Kryeministri po sulmon SPAK për të mos lejuar hetimin për incineratorët

Pak sapo Kryeministri përfundoi konferencën për mediat, ku edhe njëherë kërkoi nga SPAK që të hetojë në 360 gradë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku akuzoi Edi Ramën se po sulmon strukturën e posaçme për të penguar hetimet mbi incineratorët. Tabaku inkurajoi SPAK-un që të vijojë me këtë hetim, për të cilin më herët u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar.

Edhe pse për më shumë se 1 orë Kryeministri Rama sqaroi deklaratat e tij në drejtim të SPAK-ut, për opozitën nuk ka asnjë dyshim se ajo çfarë po bën kreu i Qeverisë është sulm ndaj kësaj strukture. Jorida Tabaku, ish-kryetarja e Komisionit Hetimor për Incineratorët thotë se qëllimi i Edi Ramës është të pengojë SPAK-un në vazhdimin e hetimeve.

"Shfaqja e radhës shihet si një formë kërcënimi ndaj SPAK për të mos vazhduar për të hetuar këtë aferë, ku në qendër duhet të ishte qeveria. E inkurajoj SPAK që të hetojë korrupsionin që është përhapur në qeveri."

Duke folur për investimet strategjike, Tabaku tha se mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor.

"Besoj se ky ligj duhet të ishte objekti kryesor i diskutimit në parlament. Vota kundër sot në Konferencën e kryetarëve më ngjan me atë të Komisionit të Hetimor të incineratorëve. Kam bërë kërkesa për të marrë informacion se kush janë përfituesit e këtij lighi dhe kam rastisur në heshtjen totale të informacionit dhe të transparencës."

Sipas Tabakut këto investimejanë dhënë në mungesë transparence dhe njerëzve pranë Qeverisë.