Sulmi i Ramës ndaj SPAK, Starova: E ka topin në fushë, kërkon të gjejë korrupsion përtej PS-së

Politikani, Arjan Starova, i konsideron të papranueshme deklaratat e kryeministrit Rama ndaj SPAK, duke i diktuar se kë duhet të hetojë dhe kë jo.

I ftuar në Ora News me gazetarin Arnol Kariqi, Starova thotë se Rama është zënë ngushtë pasi arrestimet për korrupsion i ka brenda grupit të tij dhe do të zgjerojë rrezen jashtë, duke përfshirë dhe eksponentë nga opozita.

Starova: Është e papranueshme, nuk e di pse e bën këtë. Mesa duket nuk ndjehet mirë nga fakti që shumica e atyre që janë vënë para drejtësisë janë nga grupi i tij politik, PS ose faktorë të tjerë pranë saj dhe mesa kërkon ti bëjë presion drejtësisë që të gjejë korrupsion dhe përtej grupit të tij, ose nga opozita, gjë që më duket e tepruar. Përpiqet të spekulojë dhe me SHBA, me faktin që ata kanë përcaktuar si të pazgjedhshëm për vizë amerikane zotin Berisha por ndërkohë nuk kanë dhënë asnjë fakt për këtë gjë. Non Grata është një përcaktim moral por jo i drejtësisë.

Drejtësia nuk lëviz pa prova. Po del blof në gjithë atë përpjekje që mesa duket ka dorë vetë. Meqë drejtësia nuk lëviz dot në mënyrë romantike dhe folklorike si ka qejf ai, bëhet nervoz sepse e gjithë përpjekja po i del blof dhe si dihet çfarë del pas. Prapa mund të vijë një lëvizje politike, ndoshta dhe nga SHBA, e cila vë pikat mbi "i". Kur nuk ka prova nuk mund të bësh një hap më tej. SPAK-u, të cilin ai e ka thënë me të madhe se është një produktet e drejtësisë së re, kur nuk lëviz do të thotë se nuk ka prova. Fakti që ai bërtet në mënyrë jonormale tregon një lloj dobësie, tregon që barra në radhë të parë rëndon mbi qeverinë.

Raportet e fundit, sidomos i DASH për korrupsionin në Shqipëri, janë alarmante dhe natyrisht ai ka përgjegjësi. Ka vetëm një rrugë, ai të lëshojë sa më shpejt qeverisjen, pushtetin dhe ti hapë vendit rrugën drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sa herë që korrupsioni bëhet problematik rruga e vetme është ndërprerja e fijeve që lidhin  politikën me korrupsionin.Është e papranueshme, e dënueshme politikisht dhe diçka që nuk i shkon për shtat një kryeministri. Situatë që tregon vetëm dobësinë e tij, e ka topin e korrupsionit në fushën e tij dhe duhet të bëjë diçka. Dhe vetë brenda kampit socialist nuk mund ta pranojnë këtë.

Duke folur për zhvillimet brenda PD, ai e cilëson skandaloz vendimin e gjykatës për të pranuar ankimin e bërë nga zoti Alibeaj dhe për këtë ka dhe argumenta.

Starova: Një lëvizje politike që nis nga poshtë nuk ka punë fare me gjykatën. Është njësoj sikur gjykatat e komunizmit të gjykonin udhëheqësit e protestave që bënte gjithë Shqipëria në rrugët e Tiranës apo qytete të tjera. Kur ka lëvizje nga poshtë për shkak të degradimit të udhëheqjes së vjetër me në krye Bashën, lëvizja nuk gjykohet, është politike, vetëm regjistrohet.

Është lëvizje brenda partisë, anëtarësia ka gjykuar të ndryshojë udhëheqjen. Çfarë do gjykohet këtu? PD po shkon drejt bashkimit. Do ta shohim në javët e ardhshme. Janë absurde, përpjekje për ti vendosur disa shkopinj që mendohet gabimisht që mund të shërbejnë si digë për atë lëvizje që ka nisur nga poshtë. Është për të ardhur keq.

Për Starovën, të kërkosh një opozitë me vendim gjykate është njësoj sikur të përpiqesh të sjellësh Hënën në Tokë, gjë që sipas tij nuk ndodh kurrë.

Starova është i bindur që 22 maji, zgjedhjet për kreun e ri të PD, do të sjellin bashkimin.

Starova: Padiskutim, bashkimi çdo ditë është duke ndodhur.

Një tjetër proces ku është investuar politika është ai për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Starova thotë se Rama është i detyruar të negociojë me shumicën dërmuese të PD dhe nuk duhet të kapet pas non gratës së Berishës.

Starova: Një nga parimet që duhet respektuar këtë radhë është zgjedhja e një presidenti konsensual. Votat u manipuluan në mënyrë skandaloze, nuk ka shumicën që pretendon. E dyta, cilin ka zgjedhur ai si intelekutor? Përpiqet ta bëjë me ata që nuk janë opozita e vërtetë duke spekuluar me faktin që ende grupi parlamentar i PD është i ndarë në dysh. Janë artifica.

Nëse kjo niset nga numrat e përkohshëm të çon në rrugë pa krye. Ai është i detyruar të bisedojë me përfaqësitë e shumicës dërmuese të PD, non grata është diçka e veçantë, nuk ka pse përzihet.Politikani duhet të ecë sipas të vërtetave. 2-3 javë më parë procesi u bë qesharak. Njerëzit fillonin dhe thonin dua të bëhem unë President. Farsa që përpiqet të bëjë Kryeministri është shumë e shëmtuar.