Përballë Berishës për kreun e PD, Ibsen Elezi kërkon shtyrjen me dy javë të zgjedhjeve: Jashtë komisionit Vokshi dhe Bozdo
Ibsen Elezi, kandidati në garë përballë Sali Berishës për kreun e PD-së me 22 maj njoftoi sot publikisht kandidimin e tij.
Në një konferencë për mediat, ai kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve me 2 javë për të pasur mundësi për fushatë.
"Do ti drejtohem me një kërkesë Komisionit të Rithemelimit dhe Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit Elektoral pranë PD. Kërkoj dakordësi për këto kërkesa: Largimin nga komisioni të kryetares Albana Vokshi dhe Eno Bozdo si persona të implikuar në proceset e manipulimit të votave në zgjedhjet e 13 qershorit dhe 17 korrikut 2021. Shtyrjen e datës së zgjedhjeve me afat 14 ditor për shkak të pamjaftueshmërisë kohore. Zhvillimin e takimeve elektorale të përbashkëta me debat publik para anëtarësisë ashtu siç u premtua nga kandidati rival përgjatë gjithë foltoreve."
Ai tha se Foltorja shkeli premtimet e Kuvendit, duke kryer një akt tradhëtie ndaj demokratëve.
Kandidimin tim e shoh si detyrim për tu përballur me këto fenomene negative, tha ai, teksa prezantoi platformën e tij të mbështetur në dy kolona, zgjerimin e kësaj force politike dhe kthimin e saj te vlerat konservatore.
"Rithemelimi po ofron modelin Basha dhe ka figura të diskretituara në opinion ndërsa unë ofroj një rrugë të re me figura të reja politike që japin shpresë për një fitore në të ardhmen" tha Elezi.
"Demokratë, kjo nuk është garë e barabartë dhe e vështirë por jam këtu me besimin se do të kem mbështetjen e secilit prej jush" përfundoi ai.
