Komisioni i Rithemelimit të PD kërkon shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça

Komisioni i Rithemelimit të PD kërkon shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Blerina Muça, e cila pranoi ankimin e Enkelejd Alibeaj  kundër vendimit të Shkallës së Parë, që njohu statutin e dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit. 

Me anë të një shkrese, Komisioni i Rithemelimit ka kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, hetimin e gjyqtares Muça dhe marrjen e masës së ‘pezullimit nga detyra’, duke i kujtuar se Komisioni i Rithemelimit është i vetmi institucion që drejton Partinë Demokratike.

Ndërkaq, i kërkohet Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, shkarkimi i gjyqtares Blerina Muça.

PD akuzon Blerina Muçën se në kundërshtim me ligjet dhe praktikën ligjore, ka pranuar një padi të Enkelejd Alibeajt, i cili nuk ishte as palë në çështjen për të cilën kërkon pezullimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili ka njohur Komisionin e Rithemelimit si autoriteti zyrtar që drejton PD-në.