Zgjedhja e Presidentit, Bozdo: Rama e ka përjashtuar opozitën, ja kur do të propozojmë emra
Eno Bozdo anëtar i Komisionit të Rithemelimit ishte i ftuar në Ora TV. Ai foli për çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Sipas tij ishte kryeministri Edi Rama i cili e nisi procesin duke u kërkuar deputetëve të tij të propozonin tre emra me një zarf të mbyllur.
Eno Bozdo: Të parët që kanë folur për një proces i cili nuk ka kuptim janë analistët dhe media. Ju e dini që Rama e nisi këtë proces duke u kërkuar deputetëve të tij të propozonin tre emra me një zarf të mbyllur që nuk e lexonte askush tjetër përveç se Edi Rama dhe dora e tij dhe kjo është, e thënë pak, qesharake përsa i përket përqasjes së zotit Rama në këtë proces.
Bozdo tha se Rama e ka përjashtuar opozitën nga procesi i zgjedhjes së Presidentit dhe se do të propozojnë emra në çastin kur do ta kuptojnë që ky është një proces serioz.
Eno Bozdo: Për të kuptuar se çfarë mendon opozita mjafton të lexoni rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD i cili thotë " Nëse do të jepej mundësia të dëgjohet zëri i opozitës në këtë proces, (dhe zoti Rama në një mënyrë apo tjetër e ka përjashtuar opozitën nga ky proces, pavarësisht se kë quan ai opozit por opozitën e vërtetë ai e ka përjashtuar), atëherë ne së pari autorizojmë njerëzit tanë dhe kjo do të ndodhi sot apo nesër për të negociuar për të qenë në një front të vetëm me të gjitha partitë opozitare. Dhe së dyti do të jemi në gjendje të propozojmë emra në çastin kur ne e kuptojmë që ky është një proces serioz. Dhe të mos shkojmë shumë larg, shikojmë se si është zgjedhur Presidenti i Republikës 20 vitet e fundit. Pavarësisht kush ka qenë kryeminister dhe kush ka qenë drejtues opozite në fund palët janë ulur në tavolinë me dy apo tre persona përballë njëri tjetrit përfaqësues në seanca të gjata derisa kanë arritur në President konsensual ose President që shkon në raundin e pestë.
