Aksident mes bjeshkësh, dy turistë gjermanë bien në greminë mes Thethit e Valbonës, njëri humbi jetën
Zbulimi i pjesës së ashpër të Shqipërisë turistike përfundoi me tragjedi në bjeshkët e Tropojës.
Dy turistë gjermane, ranë në një humnerë në kufirin mes Thethit dhe Valbonës këtë të martë gjatë eksplorimit dhe njëri prej tyre fatkeqësisht humbi jetën.
Disa orë pas alarmit, ata u gjetën në vendin e quajtur “Qafë Valbonë” nga një ekip i Urgjencës Kombëtare që ishte i përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit me helikopter.
Viktima, një 30-vjeçar me inicialet D. J, mësohet se ka rrëshqitur në humnerë ndërsa po ngjitej në një shkëmb i thepisur i mbuluar me borë.
Ndërsa e plagosura është një shtetase 29-vjeçare e identifikuar me incialet M. S. Ajo arriti të mbijetojë dhe mësohet se u gjet në gjendje shoku, por bluzat e bardha që e shpëtuan, thonë se është jashtë rrezikut për jetën dhe për trajtim mjekësor u transportua me helikopter në spitalin e Bajram Currit.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u përfshinë fillimisht forca të policisë nga Tropoja dhe Shkodra dhe banorë të dy zonave turistike.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave, por shkak i tragjedisë dyshohet të jetë terreni i thyer dhe fakti që në zonë ka ende dëborë.
Turizmi malor në Shqipëri tërheq mijëra e mijëra vizitorë çdo vit, kryesisht të huaj, por në vazhdimësi eksplorimi i natyrës ka prodhuar edhe ngjarje të rënda.
Një prej faktorëve vlerësohet mosnjohja e zonave të rrezikshme dhe lëvizja pa shoqërues lokale.
Shtetasi gjerman që vdiq tragjikisht në bjeshkët e Tropojës, ishte viktima e tretë mes turistëve që humbën jetën duke zbuluar Shqipërinë vetëm në 10 ditët e para të majit.
