"Butrinti po jepet për resort" PS miraton draftin, opozita kundër
Marrëveshja për menaxhimin e një pjesë të Parkut Kombëtar të Butrintit është miratuar dhe nga Komisioni i Jashtëm. Ishte deputeti Vangjel Dule që denoncoi qeverinë se ka dhënë për ndërtim resorti një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit. Ndërsa opozita vijon të insistojë se marrëveshja është në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe Konventën e Parisit.
Tirane- “Me 11 vota pro dhe 5 kundër asnjë abstenim”
Pas Komisionit të Ekonomisë, radhën e kishin socialistët në Komisionin për Politikën e Jashtme të miratonin marrëveshjen e administrimit të një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Deputeti i opozitës, Vangjel Dule akuzoi qeverinë se përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave ka vënë dorë në hapësirën e parkut të Butrintit.

“Kemi edhe një vendim të KM që një pjesë e sipërfaqes së ish-parkut kombëtar të Butrintit, pronë e manastirit ortodoks të Shën Gjergjit, është dhënë për ndërtimin e një resorti, që mban edhe emrin Manastir. Ju keni venë dorë me vendimet e KM në mënyrën më abuzive dhe skandaloze në hapësirën e parkut të Butrintit.”- tha Dule.
Ky pretendim u rrëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Manastiri është jashtë zonave të mbrojtura dhe nuk është pjesë e Butrintit, parkut, por për informacion, parku i Butrintit ka një shtrirje më të gjerë se prona që është e njohur si pasuri botërore e UNESCO. Për atë që pyetët, është përtej zonës”.
Për deputetin Pandeli Majko, ky projekt do ta shndërrojë Butrintin në një brand ndërkombëtar, por rishikimi i kufijve pas miratimit të planit të menaxhimit sjell ngatërresa.
“Ne janar 2022 ju keni ndërruar kufijtë e parkut te Butrinitit, keni bere rishikim te kufijve. A ndikon ky ndryshim kufijsh në marrëveshje?”
Sipas Margaritit, përcaktimi i saktë i kufijve ka ardhur si rekomandim pas korrespondencave me UNESCO-n për planin e menaxhimit të integruar.
I ftuar në Komision, ishte dhe përfaqësuesi i fondacionit, i cili tha se nuk bëhet fjalë për koncension pasi organizata e tij e ka të ndaluar të hyjë në procedura ku ka përfitime ekonomike.
“Nëse gjeni 1 here të vetme në çdo dokument te planit te menaxhimit te kësaj marrëveshje, fjalën koncension ADF tërhiqet sot”.
Ndërsa opozita kërkoi që kjo marrëveshje të kalojë nga Gjykata Kushtetuese.
