Presidenti i ri/ PS miraton e vetme raundin e parë: 16 maj ora 17:00. Demokratët: S'duam të jemi buzëkuq e as gjethe fiku

Konferenca e kryetarëve cakton datën 16 maj ora 17:00 si datë për raundin e parë për zgjedhjen e presidentit. Kjo datë u miratua vetëm me votat e PS-së, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. 

Deputetët e Partisë Demokratike janë skeptikë. Nuk besojnë se  maxhoranca vërtet kërkon të bashkëpunojë me ta për zgjedhjen e presidentit por e gjitha është fasadë.

“Buzëkuq për tu dukur bukur” e quan gjithë këtë skenë deputetja e PD-së Flutura Açka ndërsa 

“Gjethe thiku” e quan deputeti Agron Gjekmarkaj megjithatë këmbëngul që opozita duhet të propozojë kandidatë.

Deputetja Mesila Doda këmbëngul që presidenti të mos ketë të kaluar komuniste  si dhe nënvizoi përfshirjen e të gjithëve në këtë debat.

Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali i kujtoi opozitës të mos vërë kushte që PS të heqë dorë nga e drejta e propozimit. 

Ndërkohë që deputetja demokrate Grida Duma ka propozuar që emrin e parë të presidentit ta japë opozita, ndërkohë ka shtuar se opozita nuk do të bëhet fasadë e PS.

Deputetja Flutura Açka: E shikoj që huqi nuk ka për tju lënë ju që të negocioni me ne pasi keni vendosur ta uzurponi presidentin. Madje kam bindjen që ju e keni zgjedhur presidentin dhe ne këtu jemi si buzëkuqi juaj për tu dukur ju më të bukur para Europës. Unë jam e bindur, shpresoj të mos dalë fjala ime, por unë kam frikë që ju e keni zgjedhur presidentin për të mos thënë edhe emra. Ose birin e një ish komunisti e ka bërë qoka të vazhdueshme me ju ose ndonjë lëpirës dore.

Agron Gjekmarkaj: Sa I takon opozitës. Opozita ka 63 deputetë. Me gjithë humoret dhe krizat që e përfshin opozitën në këtë moment jam deklaruar që ka detyrimin të nxjerrë emra për presidentë. E djathta ka emra dinjitozë pavarëisht se qeveria i merr parasysh apo jo opozita ka detyrimin moral ti japë një kandidat alternativ për president.

Nëse jeni të sinqertë, atë që keni deklaruar se do të mirëprisni emrat nga opozita do të ishim gati të rindërtonim një strategji të vërtetë komunikimi duke propozuar dhe emra për president republike, por nëse këtë e keni gjethe fiku na e kurseni dhe zgjidheni vetë”

Te mos jete komunist

Deputetja Mesila Doda: Presidenti duhet të jetë njeri që nuk vjen nga background të të kaluarës së diktaturës komuniste në vend. Ka shumë njerëz që janë dinjitoz dhe që përfaqësojnë të ardhmen e vendit.

Përpara se të nisë data të nisim një proces të konsultimeve me grupet parlamentare dhe partitë politike. Nuk ka arsye pse të pëjashtohen. Le ta kthejmë në një moment jo përplasjeje por në një moment të mirë që sot është akoma në hullinjtë e një jete normale politike. Duhet të jetë moment i mirë kur të gjithë të jenë të dakordësuar me këtë figurë.

Mos na vini kushte

Elisa Spiropali: Këtu është bërë zakon të flitet për procese të brendshme të Partisë Socialiste në një kohë kur në palën tjetër s’ka fare proces. Përsëriten propozimet me zarfe, apo konsultimet me shoqërinë civile. A thua se kjo është mëkat. Ne nuk kemi vendosur asnjë kusht për opozitën.

Sigurisht që kemi konceptet tona për një profil se si duhet të jetë Presidenti i Republikës, duke pasur parasysh edhe pushtetin e madh që kemi akumuluar, ku këtu ka kontribuar opozita duke ikur nga procese shumë të rëndësishme. Ne nuk duam një President të të PS-së. Duam të marrim nga ju emrat më të mirë, por nuk duam kushte.

Enkelejd Alibeaj: Nuk ju kemi vënë kushte. Keni vota të marra nga persona ‘Non Grata’.  Nëse do flasim për president do të flasim për ata të cilët do i përfaqësoj si qytetar i parë, jashtë të gjitha joshjeve apo shantazheve politike. Këtë e kemi detyrim ta bëjmë.

Propozimin e parë për presidentin ta bëjë opozita

Grida Duma: Nëse ju keni zgjedhur një emër dhe doni ta përshpejtoni procesin, kjo nuk është rruga e duhur. Ju sot vini me një vendim politik që presidenti të mos jetë politik. Po kjo nuk e nderon klasën politike shqiptare. Ju mund ta zgjidhni presidentin në raundin e katërt por fasada me tre raundet e para sikur keni marrë ca kritere dhe na keni dëgjuar ne, është një artificë e shëmtuar dhe është nën nivelin normal të inteligjencës e jo më në trupë politike. Ne nuk kemi për t’u bërë fasada juaja. Jepjani propozimin e parë opozitës dhe shiheni ju se sa konsensuale mund të jetë opozita.

Datat 
15 maj ora 16:00: Afati përfundimtar për dorëzimi i kandidaturave me të të paktën firmat e 20 deputetëve.

16 maj ora 10:00 Komisioni i Ligjeve mblidhet për të vlerësuar kandidaturat e dorëzuara, dhe miratuar raportin.

16 maj ora 17:00 Raundi i parë i votimit në kuvend.