”21 janari”, predha që vrau Aleks Nikën dërgohet në Itali

Dosja e "21 Janarit" e cila është rihapur një vit më parë është në pritje të ekspertizës së re mbi plumbin që ka vrarë të riun nga Lezha Aleks Nika. Prokuroria e Tiranës e ka dërguar predhën në një laborator të specializuar në Itali ku pritet të përcaktohet arma që ka kryer goditjen. Përgjigja ekspertizës pritet të vendosë për fatin e hetimit ndërkohë që nga ekzaminimi i parë nuk u arrit asnjë rezultat pasi predha ishte e dëmtuar në pjesën e vjaskave të lëna nga tyta e armës.

Tirane - Rome  Një laborator i specializuar i kriminalistikës në Itali është duke analizuar një nga predhat e dosjes së "21 janarit", konkretisht plumbin e dëmtuar që është nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës, njërit prej viktimave.

Prokuroria e Tiranës mësohet se është në prije të letër porosisë me rezultatin e ekspertimit të predhës e cila gjatë ekspertizës së parë në SHBA, u cilësua se ishte dëmtuar dhe e pavlefshme për analizim.

Por ekspertiza e re që po zhvillohet në Itali, pritet të vendosë për fatin e hetimeve që u rihapën një vit më parë pas një referimi të Policisë së Shtetit në lidhje me ccështjen e 21 janarit.

Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë konfirmuar për RTV, Ora se prokurorët kanë zgjedhur për ekspertimin e predhës kete here një laborator në Itali, i cili është me avancuar në ekspertime se laboratorët e mëparshëm, të cilët nuk kanë patur rezultate për shkak të dëmtimeve që ka pësuar predha që goditi të riun nga Lezha.

Plumbi i cili u nxur nga koka e Aleks Nikës në një spital në Turqi, ka pësuar deformim të madh duke prishur vjaskat, karakteristika këto që lihen nga tyta e armës në momentin e qitjes.

Asokohe predha u dërgua në një laborator kriminalistik në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nga analiza nuk janë përftuar të dhëna për identifikimin e armës që ka kryer qitjen.

Për këtë arsye, vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe nuk u përfshi në gjykimin e gardistëve të akuzuar për çështjen e 21 janarit.