Grabitën euro, dollarë dhe lekë/ Hajdutët e bankës në Koplik mund të kenë kaluar në Mal të Zi

Grabitësit e bankës së Koplik mbeten të lirë dhe dyshimet janë se mund të kenë shfrytëzuar territorin duke kaluar drejt Malit të Zi Ekspertët e policisë ndërkohë u kanë bërë llogaritë se kanë marrë 10 mijë Euro, 1 mijë Dollarë dhe 4 milionë Lekë të vjetra.

Autorët e grabitjes së bankës së nivelit të dytë në qytetin e Koplikut në Bashkinë Malësi e Madhe mbeten të lirë dhe mund të kenë kaluar në Mal të Zi.

Makina që ata i morën me forcë një qytetari pasi dogjën mjetin e tyre që përdorën për ngjarjen është gjetur në zonën e Sheganit në liqenin e Shkodrës.

Prej aty mund të kenë kaluar kufirin drejt  Malin e Zi ose janë brenda territorit shqiptar por tashmë nuk dihet ne cdrejtim apo mënyrë po lëvizin.

Ekspertët mësohet se po ekzaminojnë dy makinat për gjurmë që mund ti çojnë në identifikimin e grupit të hajdutëve që duhet të jenë ende të armatosur.

Krahas gjetjeve në dy mjetet, hetuesit po shfrytëzojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së bankës që grabitur dhe bizneseve të tjera përgjatë rrugëve që ata përshkruan pas ngjarjes deri kur humbën gjurmët.

Teksa hajdutët janë të lirë, hetuesit kanë bërë llogaritë e parave që ata kanë me vete.

Nga të dhënat rezulton të kenë grabitur 10 mijë Euro, 1 mijë Dollarë dhe 4 milionë Lekë të vjetra.

Kur tre autorët e maskuar dhe armatosur dolën nga banka, mësohet se u ndeshën me një efektiv të policisë kufitare.

Por ky i fundit nuk mundi të kthehet në policin hero, pasi u kërcënua me armë zjarri duke u detyruar të lejonte që  grabitja të vijonte në skenarin e saj.

Pas alarmit të bankës mbi Malësi të Madhe fluturoi helikopteri dhe nga toka vërshuan forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, por hajdutët shpëtuan.