Presidenti me 16 maj në Parlament, Duma: Propozimin e parë ta bëjë opozita; Felaj: S'bëjmë pazare
As për këtë President nuk do të ndryshohet tradita e politikës shqiptare, pasi edhe në këtë proces mazhoranca dhe opozita nuk arritën të gjejnë konsensusin, madje as për ta miratuar procedurën.
Në Konferencën e Kryetarëve, socialistët miratuan të vetëm startimin e zgjedhjes së Kreut të Shtetit, pasi opozita edhe pse e pranishme fizikisht zgjodhi të heshtë duke mos marrë pjesë në votim.
Nikolla: Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të jetë datë 16 maj, ora 17:00.
Demokratët, me mungesë të thellë besimi ndaj kundërshtarit politik, kërkoi sërish ta vendosë në sfidë mazhorancës qeverisëse, duke i kërkuar asaj që në raundin e parë të shkojnë me emrin e opozitës.
Duma: Ju shpresoni që do të ulemi këtu, do të bëhemi noterë të procedurave tuaja. Sa më përket mua dhe shumicës së opozitës, unë besoj që e kuptoni që nuk mund ta merrni. Jepjani propozimin e parë opozitës.
Felaj: Të ndarët e keni ju, e kemi ne, është thjesht pazar. Dhe ne nuk kemi hyrë në një pazar.
Mesila Doda, e cila është ulur në tryezë negociimi me PS në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kërkoi që pjesë e këtij procesi të mos jenë vetëm grupet parlamentare, por edhe partitë politike.
Doda: Procesi duhet të jetë i konsultimeve të gjera me grupet parlamentare por edhe me partitë politike.
Si të rinj në Parlament, Gjekmarkaj dhe Açka, me tepër sesa kolegët e tyre nuk e fshehën frikën e tyre ndaj manovrimeve politike të Partisë Socialiste.
Açka: Kam frikë, jo kam frikë por kam bindjen se ju e keni zgjedhur Presidentin dhe ne këtu jemi thjesht si buzëkuqi juaj për tu dukur ju më të bukur para Europës.
Gjekmarkaj: Nëse këtë e keni thjesht gjethe fiku, atëherë na e kurseni dhe zgjidheni vetë.
Ora 16:00 e datës 15 maji është afati i fundit që propozimet e deputetëve të dorëzohen në Parlament.
Një kandidati i duhen firmat e 20 të zgjedhurve në parlament, dhe një deputet ka të drejtën të propozojë vetëm një emër.
Një ditë më pas në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kandidatuar.
