Alibeaj: Si kryetari i grupit parlamentar do të vazhdoj detyrën, nuk më ka përjashtuar askush
Në një dalje për mediet, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh se atë nuk e ka shkarkuar askush nga detyra e kreut të grupit parlamentar të PD-së.
Ai tha se vazhdon të jetë kryetar i këtij grupi në Kuvend dhe se nuk është test i askujt, dhe se do të bëjë detyrën e tij.
Alibeaj: Nuk është çështje numrash, por qëndrimi. Qëndrimin e deputetëve në mënyrë individuale e keni parë. Do ketë secili qëndrimin e vet. Nuk më ka shkarkuar askush. Mua më kanë shkarkuar disa herë. Njëherë në Dhjetor, njëherë në janar. Unë jam kryetar i grupit parlamentar i zgjedhur në Këshillin Kombëtar pjesë e të cilit ishte grupi parlamentar. Unë nuk jam test ndaj askujt. Unë bëj detyrën time si kryetar i grupit parlamentar dhe ushtrues i detyrës së kryetarit. Edhe për çështjen e mbledhjes së kryesisë së grupit ishte kërkesë e anëtarëve. U mblodhëm të shtunën në orën 09:15 duke parë komoditetin kohor të secilit. Sot në mëngjes ka qenë mbledhja tjetër.

