Qeveria nëpër avionë. 32 fluturime për tre javë, 2.1 milion lekë biletat
Administrata shtetërore ka shpenzuar 18 mijë euro për udhëtime jashtë shtetit në më pak se tre javë. Në fakt shuma është edhe më e lartë nëse përfshihen dhe hoteli e dietat e ushqimit. Vjena, Athina dhe Italia mbeten më të frekuentuara nga punonjësit e shtetit, ndërsa regjistrohen edhe disa raste fluturimesh të anuluara.
Edhe pse qeveria ka deklaruar prej muajsh se vendi është futur në krizë që prej nisjes së luftës në Ukrainë, drejtues te institucioneve publike nuk i ndalin udhëtimet jashtë vendit.
Nga 8 prilli deri të hënën e këtij muaji administrata ka blerë bileta avioni me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e mbi 2.1 milionë lekëve ose e thënë ndryshe rreth 18 mijë euro.
Këtu nuk përfshihen dietat e ushqimit, hotelet dhe udhëtimet e tjera të planifikuara janë ende në proces finalizimi ose janë anuluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) në total janë finalizuar procedurat për 32 fluturime, me itinerar kryesisht Vjenën, Brukselin, Athinën e Luksenburgun. Janë punonjës të institucioneve shtetërore, ministrive, universiteteve dhe Federatës Shqiptare të Vojelbollit, të cilët kanë kryer këto udhetime.
Maroku është një tjetër destinacion i zgjedhur nga administrata shtetërore pasi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka blerë bileta me një kosto prej 166 mijë lekësh, ndërkohë 2 udhëtime të tjera me këtë vendndodhje janë planifikuar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë.
Udhëtimet e tjera gjatë kësaj periudhë janë zhvilluar në Hungari, Poloni, Francë, Belgjikë dhe Itali. Por nuk mungojnë as fluturimet në Washington dhe New York për të cilat nuk ka të dhëna se sa do të shpenzojnë Ministria e Financave dhe Bashkia e Tiranës.
Sipas APP disa procedura janë anuluar me argumentin se ka ndryshuar data e udhëtimit, aftësia paguese e autoritetit kontraktor apo për arsye organizimi.
Ndërkohë janë hapur edhe procedura të tjera me objekt blerje biletash udhëtimi, të cilat pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit mijëra euro të tjera.