U ekstradua nga Gjermania, ish-truproja e Saimir Tahirit del nesër para Gjykatës së Posaçme
Ish-truproja e ish-ministrit të Bredshëm Saimir Tahiri, Hekuran Marku, do të dalë nesër para Gjykatës së Posaçme, pas ekstradimit nga Gjermania në vendin tonë.
Seanca do të nisë në orën 9:30. Markut do ti komunikohet masa e sigurisë "arrest në burg".
Marku u arrestua gushtin e kaluar në Gjermani në operacionin anti-drogë “Shpirti”, pasi ishte shpallur në kërkim. Në të njëjtën kohë, u arrestua në Francë edhe ish-truproja tjetër i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Paul Deda.
Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Njoftimi i Interpol Tirana për ekstradimin
Ekstradohet nga Gjermania drejt Shqipërisë, 47-vjeçari i kërkuar për disa vepra penale.
Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë, u bë e mundur kapja në Gjermani dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit H. M., 47 vjeç.
Shtetasi H. M. është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të operacionit “Shpirti”, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
