Afera e incineratorëve, Alqi Bllako kërkon lirinë, Apeli vendos për ish-deputetin më 14 maj

Ish deputeti i PS, Alqi Bllako ka depozituar në Apelin e GJKKO kërkesën për lirim nga burgu.

Ndërkohë seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje do të zhvillohet më 14 maj në orën 10:00 dhe do të shqyrtohet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi. 

"Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, çështja me objekt “ankim ndaj vendimit të caktimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, në ngarkim të personit nën hetim A.B. është regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 06.05.2022, me nr. 12 regjistri themeltar. Sipas shortit të ditës së sotme, kjo çështje do të shqyrtohet nga trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, në seancën gjyqësore të planifikuar më datë14 Maj 2022, ora 10:00."- thuhet ne njoftim.

Zoti Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, ishte pjesë e 14 urdhërave të tjerë të arrestit ndaj funksionarëve lokalë dhe anëtarëve të Komisioneve të Koncensionit për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, përfshirë për herë të dytë ish ministrin Koka dhe sipërmarrësin Klodian Zoto, që zotëronte 70 përqind të aksioneve në inceneratorin e Fierit.

Po këtë të enjte, 31 mars, gjykata ka bërë vlerësimin e masave të sigurisë edhe për 5 nga 9 personat e akuzuar për incineratorin e Fierit. Masat u verifikuan për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri , Florian Muca dhe Sabina Cenameri.

Klodian Zoto është ende në arrati, ndërsa pritet të jepet masa edhe për 3 të tjerët Erjon Murataj, Arenc Myrtezani dhe Etleva Kondi.