Abuzim me pronat në Shëngjin, GJKKO dënon me 6  vite e 6 muaj burg, juristin Bledar Cara

Dënimeve ndaj personave të akuzuar të dosjes 339 i është shtuar edhe një vendim i dhënë së fundi nga Gjykata e Posaçme. Kjo e fundit ka dënuar me 6 vite e 6 muaj burg ish juristin e hipotekës së Lezhës, Bledar Cara i cili ka kryer veprimet për tjetërsimin e pronave ne zonën Rana e Hedhur. Cara u ekstradua nga Italia një vit me parë pasi kishte ikur jashtë vendit për ti shpëtuar dënimit 

Gjykata e Posaçme ka vendosur të dënojë me 6 vite e 6 muaj burg juristin e hipotekës së Lezhës, Bledar Cara, i cili u arrestua si pjesë e dosjes “339”. Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda si “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i formularëve, vulave ose stampave” dhe “Shpërdorimi i tokës”, të kryera në bashkëpunim. Bledar Cara akuzohet për abuzimin e pronave në Tale, Shëngjin dhe Rana e Hedhun.

 

Ai së bashku me disa të pandehur të tjerë në bashkëpunim akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare.

Ish-juristi u ekstradua më 18 korrik të vitit të kaluar nga Italia vend ku kishte shkuar menjëherë pasi ndaj tij kishte dale urdhër arresti.

Pak javë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi të rrisë dënimet për të pandehurit e tjerë të arrestuar në lidhje me abuzimet me tokat në Lezhë të cilët ishin kryesisht të afërm të ish deputetit socialist Arben Ndoka. Po për shumë prej tyre vendimi ende nuk është ekzekutuar pasi një pjesë e tyre dyshohet se janë larguar jashtë Shqipërisë për ti shpëtuar dënimin me burgim.