Koçi: Një pjese të opozitës nuk i intereson një president konsensual, kanë sindromën e tradhtisë
Deputeti i PS, Petro Koçi është shprehur se kriza në opozitë është një çështje që nuk lidhet me presidentin e Republikës, ndërsa shtoi se vendit i duhet një opozitë e konsoliduar.
Në një intervistë për Ora News, Koçi tha se mazhoranca është e hapur për një president konsensual, në mënyrë që të ketë pëlqimin e të dyja palëve.
A po shkohet drejt një emri të njëanshëm për presidentin?
Petro Koçi: Kriza e opozitës është një çështje që nuk lidhet me presidentin e Republikës, por është një proces që ka lidhje me mënyrën s si është formuar vetë PD-ja si lëvizje, por gjithmonë ka qenë në diktatin e një njeriu. Është një çështje e tyre por gjithsesi vendit i intereson një opozitë e konsiliduar, një opozitë e alternativave. Gjithsesi është një çështje e tyre. Përsa I përket presidentit mazhoranca është e hapur për një president sa më konsensual, që do të thotë se do të ketë pëlqimin e të dyjave palëve në parlament. Ne duam një figurë sa më serioze.
I pyetur se a kërkon PS nga opozita emrin e presidentit të ri, Koçi tha:
Nuk është se ne e kërkojmë automatikisht nga opozita por opozita është e ftuar të jetë pjesë e dialogut. Mazhorancës i intereson që të zgjidhet një president konsensual, pra të zgjidhet në raundet e para. Synimi është që të jetë një zgjedhje konsensuale, pavarësisht se nuk ka ndonjë detyrim kushtetues apo ndërkombëtar.
Për Koçin një pjese të opozitës nuk i intereson një president konsensual pasi sipas tij ata kanë sindromën e tradhtisë
Petro Koçi: Opozita është në krizë, dhe një pjese të saj nuk i intereson një president konsensual sepse ata kanë sindromën e tradhtisë, dhe këtë procesin e dialogut e konsiderojnë si një lloj mënyre shitjeve të pozitave apo interesave politike. Kjo është pjesë e një kulture ballkanike.
