PD me dy përfaqësues për emrin e presidentit? Përgjigjet Boçi, tregon nëse do kandidoj për kreun e grupit parlamentar

“Jo nuk rrezikon sepse vendimet politike të organizimit tonë politik kanë ecur përpara dhe ato duhen respektuar“- kështu u përgjigj deputeti Luçiano Boçi kur u pyet nëse  rrezikon PD të shkojë me dy përfaqësues në tavolinë me mazhorancën për emrin e presidentit.

Në një intervistë për Ora News, Boçi tha se nëse respektohen rregullat  nuk ka pse të ketë dy përfaqësi në PD për të propozuar emrin e presidentit.

Luçiano Boçi: Nëse ndjekim respektin të Kushtetutës së PD-së të rregullave dhe parimeve, nuk ka pse të ketë dy përfaqësi, do të ketë vetëm një dhe kjo përfaqësi do të jetë e miratuar në nivel politik dhe që do të funksionojë në nivel parlamentar.

Thirrja e mbledhjes pa një agjendë të përcaktuar nga kryesia e grupit në nxitim e sipër dhe kërkesa e rakorduar për shtyrjen të konsultimeve të presidentit, tregojnë qartë se duket se ka një rakordim qoftë edhe në heshtje.

I pyetur se si do të veprojnë nëse Apeli do të rrëzojë Kuvendin e 11 dhjetorit, Boçi theksoi: Sjellja e Alibajt ka qenë një nga obeksionet e mia më të forta pasi nuk mund të deklarohesh si përbashkues nëpërmjet rezolutave dhe të kryesh akte përçarëse siç është rasti i ankimimit.

Ndër të tjera Boçi theksoi se opozita është e dëmtuar për shkak të gjendjes së konfliktualitetit politik brenda partisë.

Luçiano Boçi: Opozita është e dëmtuar për shkak të gjendjes së konfliktualitetit politik brenda saj, për arsye të ekzistencës së proceseve përbashkuese. Unë i konsideroj procese që kanë cikle të veta brenda forcave politike dhe procese që duan kohën e tyre por që tejkalohen në rastin  dhe kur qëllimi është i njëjtë për bashkimin e opozitës. Përpjekje për bashkim janë bërë në të gjitha rrafshet dhe nivelet. Bashkimi është proces në bazë të respektimit të vendimarrjes statutit dhe Kuvendit. Ne jemi në luftë me kohën, ne duam të shkurtojmë kohën e Bashkimit sepse bashkimi do të arrihet, por kërkon pak kohë.

Boçi anashkaloi përgjigjen nëse do të kandidojë për kreun e grupit parlamentar të PD-së.

Luçiano Boçi: Janë vendimarrje që merren në kohën e duhur. Tani jemi të fokusuar në një proces të regjistrimit të kandidatëve për kryetar të PDSH-së.