Veliaj, qokë 150 mijë euro kompanisë për autobusin në Lanë? Bogdani: Do ishte kulmi i korrupsionit dhe pafytyrësisë
Autobusin e linjës së Unazës që përfundoi në Lanë, bashkia e Tiranës vendosi ta kthejë në instalacion. Gjatë ditës së sotme gazetarë investigativ denoncuan se mjeti po përdoret për një vjedhje të re.
Sipas tyre, kostot e riparimit janë shumë të larta, nuk bëhen nga serviset në vend dhe këtë ka menduar ta zgjidhë kryetari i bashkisë Veliaj, i cili kërkon ti kthejë paratë kompanisë duke i bërë një qokë 150 mijë euro.
Për këtë ka shpikur adresën turistike të aksidentit. Pra autobusi i aksidentuar i kompanisë do të blihet me 150 mijë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës.
Gerti Bodani, ish-deputet i PD, i ftuar në Rtv Ora thotë se nëse lajmi provohet si i vërtetë ky do të ishte kulmi dhe ekstremi i korrupsionit dhe pafytyrësisë.
Bogdani: Kompania në fund të ditës merr lekët për të blerë një autobus të ri, nëse bën 150 mijë euro, se nuk besoj që bën aq se me një javë punë përfundoi në Lanë. Bashkia i jep lekët kompanisë për atë autobus që ka mbetur në Lanë. Në vend që kompania të dëmshpërblente qytetin dhe qytetarët e Tiranës është duke u dëmshpërblyer nga bashkia e Tiranës për diçka që thotë do e bëj atraksion turistik.Për mendimin tim mirë bën ta bëjë atraksion turistik, ta lërë instalacion aty. Do jetë instalacioini jo i atraksionit turistik, por instalacioni që tregon dështimin e Bashkisë me transportin publik.
Mbase do ta çojë te sipërfaqet e gjelbërta, duke qenë GoGreen autobusi thotë kemi shtuar sipërfaqet e gjelbërta të Tiranës. Nëse kjo është e vërtetë, e kam parë lajmin sot, atëherë ky është absurdi i absurdit. Jo vetëm që të shkatërron qytetin, i rrezikon jetën qytetarëve në autobus, por po i jepke dhe 150 mijë euro kompanisë nga lekët e qytetarëve. Ky është kulmi dhe ekstremi i korrupsionit dhe pafytyrësisë në këtë rast. Është e tmerrshme si bashkia reagoi ndaj këtij incidenti por dhe incidentit tjetër më pas në bulevardin "Zogu i Parë" ku autobusi i linjës mori përpara stacionin e autobusit.

Por investime të tilla 'strategjike' nuk kanë të sosur. Bashkia e Tiranës, për kryeqytetin europian të rinisë, do të marrë nga fondi rezervë i shtetit 6 mln euro për festa dhe evente.
Bogdani: Katastrofë tjetër.Dokumenti mban firmën e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Dyshja Veliaj-Ahmetaj duket sikur janë bashkë. Rrush e kumbulla paratë e qytetarëve shqiptarë.
Por ndërsa paratë fluturojnë, Tirana vazhdon të vuajë ndotjen nga plehrat.
Mungesën e furnizimit me ujë 24 orë po ashtu. Por edhe kur vjen, ai nuk është i pijshëm.
Bogdani: Nuk është i vështirë furnizimi 24 orë, është çështje vullneti dhe vjedhjesh. Shqipëria është një vend që noton në ujë,. Tirana ka burime nga disa drejtime për të marrë ujë. Këta e dinë që vidhet uji por nuk e dinë ku vidhet dhe nuk duan ta gjejnë ku vidhet. Nuk ka matje sa ujë hyn në qytet.
Por ajo çfarë lulëzon në Tiranë janë ndërtimet.
Bogdani: Vetëm dy vitet e fundit ka dhënë mbi 2.5 milion metër katrorë ndërtime. Në 6-7 vite ka dhënë leje ndërtimi më shumë se të gjithë kryetarët e tjerë të bashkisë sëbashku. Sot Tirana nuk ka thjesht më shumë beton, por ka mbi 560 mijë metra katrorë hapësira të gjelbërta dhe publike më pak. Tirana sot është një nga qytetet më të vështira për të jetuar në Europë.
Këtij oreksi nuk i ka shpëtuar as parku i Liqenit.
Bogdani: Pak nga pak e kanë kafshuar Parkun e Liqenit, nga Park Kombëtar që ka qenë po e kthejnë në lulishte lagjeje të këtyre kullave të mëdha që po ndërtohen rreth e rrotull tij.
