Tenderi për lotin 2 të rrugës Korçë- Ersekë fitohet me ofertë 99.97% e fondit limit
Një tender i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar shpalli fitues kompaninë ANK për ndërtimin e një segmenti rrugor 6.5 metra të gjerë me gjatësi afro 12 kilometra për të lidhur Korçën me Ersekën.
Rezultati i tenderit tregon se katër kompani pjesëmarrëse hodhën oferta fare pranë fondit limit, duke e futur edhe këtë tender në listën e gjatë të tenderëve pa garë reale të realizuara nga qeveria shqiptare.
Në garë morën pjesë katër kompani: ANK, 4 A-M, Gener dhe Gjoka. Të katërta hodhën oferta financiare që variuan nga 0.01 deri në 0.04% më të ulëta se sa fondi limit i caktuar nga ARRSH.
Por tre nga katër ofertat u skualifikuan pasi kompanitë konkurruese nuk kishin dorëzuar një ose disa nga dokumentet e kërkuara nga ARRSH, gjë që e la ANK-në konkurrent të vetëm dhe fitues me një ofertë prej 632 mijë lekësh më të ulët se sa fondi limit prej gati 2.2 miliardë lekësh.
Tenderi, rezultati i të cilit u shpall nga ARRSh të enjten, dukshëm bie në kategorinë e tenderëve të dyshuar për marrëveshje të fshehtë mes palëve konkurruese, sipas metodologjisë së vrojtimit të tenderëve të dyshimtë të hartuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas kësaj metodologjie, rezultati i një tenderi duhet të ngrejë flamuj të kuq për autoritetet prokuruese në rast se “çmimet e ofruara nga konkurrentët jofitues janë të barabarta me çmimin maksimal të caktuar në dokumentet e tenderit ose fare pak më të ulët se sa çmimi maksimal,” si dhe në rast se “të gjitha ofertat janë shumë të afërta në çmimet e dhëna pasi kjo sugjeron se konkurrentët mund të jenë duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer informacion.”
Ky nuk është tenderi i parë që përfundon në këtë mënyrë në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri.
Në vitin 2015, dy tenderë u vunë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës me dyshimin se kompanitë fituese ishin koordinuar me njëra-tjetrën për të fituar tenderët me çmime 96 dhe 97% të fondit limit, ndërsa në të njëjtën kohë u zbulua se tre segmente rrugore në unazën e Tiranës ishin fituar me çmime maksimale përmes një skeme të njohur si “tender me rotacion,” në të cilin, kompanitë konkurrente ndajnë tregun duke hedhur oferta humbëse në dy nga tre garat me qëllim që të fitojnë me çmime maksimale një nga të treja./ BIRN
