“Çelu ti moj lulja ime”/ Festa e Luleve në Shkodër që “ringjall” qytetin
Shkodranët të ndjeshëm ndaj natyrës, letërsisë, humorit të bukur që sjellin e mbi të gjitha një qytet që ka ditur të ruaj shumë tradita. Sot do të diskutojmë pikërisht për një traditë e cila daton në vitet 30. Bëhet fjalë për Festivalin e Luleve i pagëzuar si dita e luleve i cili prej dekadash zhvillohet çdo 6 maj.
Nga Shkodra në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora, zbatuesja e projektit Alminda Mema dhe organizatorja e aktivitetit Stesi Laqja folën për këtë aktivitet kaq të veçantë.
“Kjo festë ka simbol lulet , lidhet me festën pagane të Shën Gjergjit. Dy lulet karakteristike të Shkodrës janë lulebora dhe karafili me erë. Festivali do të zgjasë këtë vit 4 ditë, do të ketë aktivitete për të gjitha grupmoshat”.- tha Mema.
Stesi Laqja: Aktiviteti hapet me lulet më të bukura që janë fëmijët. Do të ketë aktivitet me ta. Kemi pasur bashkëpunime dhe ka pasur entuziazëm, ndoshta edhe prej pandemisë.
Alminda Mema: Do të ketë edhe parade maskash. Do të jetë një atmosferë shumë festive për Shkodrën. Do të ketë video promovuese me lulet shkodrane. Maskat kanë punime me dorë, janë punuar nga studentët. Mesazhi është që çdo person që do të jetë atë ditë në parade, duhet të ketë një motiv me lule. Duhet të ruajmë këtë traditë dhe ky është mesazhi ynë. Nuk kemi probleme me lulet, shkodranët më shumë blejnë lule sesa arredime të ndryshme për shtëpinë.

