PD, komision hetimor për investimet strategjike, Vasili: Të marrë formë dhe do i bashkohemi, investitor strategjik burri i Ministres
Deputetët e PD pritet ti dorëzojnë një kërkesë Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për verifikimin e atyre që cilësohen si investime strategjike.
LSI është e gatshme ti bashkohet kësaj nisme sapo të marrë formë. Konfirmimi erdhi nga numri dy i kësaj partie, Petrit Vasili, në një intervistë për Rtv Ora.
Vasili: Padiskutim do ti bashkohemi, sapo të marrë formë. LSI e ka goditur fort këtë gjë. Investitor strategjik burri i një ministreje apo të tjerë personazhe të deklaruar hapur si dashnorë të qeverisë, që nga sot në nesër bëhen milionerë dhe investitorë strategjikë.
Vasili shkon dhe më tej kur thotë se abuzime të tilla janë objekt pune i SPAK dhe nuk do të kishte nevojë fare për komisione hetimore.
Ai thekson se indiciet janë dhënë hapur në publik.
I pyetur se pse ligji i investimeve strategjikë nuk u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, ai sqaroi.
Vasili: Ligji i investimeve strategjike është një ligj që në kohën kur mund të gjykohej nuk ka pasur Gjykatë Kushtetuese fare, i kaloi koha. Një tentativë që u bë atëherë dështoi.
Lënia e vendit pa Kushtetuese për një kohë të gjatë kishte të bënte me afera qindra milioneshë. Ligji i ivestimeve strategjike është njëra prej tyre, por koncesionet e miratuara në parlamentin e kerperatave me 122 deputetë janë qindra milion euro.
Po të shikoni atë veprimtari nga ana ekonomike që janë kthyer nga presidenti me argumentime shumë të gjata shteruese, presidenti është detyruar të çoj në SPAK hetimin e veprimtarisë së komisionimit të ligjeve nga grupet e interesit nëpërmjet parlamentit.
Porositeshin ligje dhe i bënte Kuvendi, e padëgjuar ndonjëherë. Drejtësia e re për të cilën u ulërit kaq shumë ka një lëndë të parë kaq të madhe saqë ja vlente të linte atë manipulimin e ndeshjes së kategorisë së dytë në futboll dhe të merrej me kategorinë e parë të 1 miliard, 2 miliard eurove në një dorë që po vjedhin këta.
