Çdo vit e më pak ekselentë të punësuar në administratë

Studentët e ekselencës po e refuzojnë gjithnjë e më shumë punësimin e tyre në administratën publike. Kjo pasi gjithmonë e më pak studentë ekselentë po i drejtohen administratës publike për punësim.

KLIKONI KËTU PËR LAJMET MINUTË PAS MINUTE


Të dhënat zyrtare tregojnë se ka një rënie të numrit nga viti 2019 kur nisi aplikimi i thirrjeve e deri në vitin 2021 që është viti i fundit raportues. Për rreth 4410 pozicione pune pjesë e sistemit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore, në 500 prej tyre që përbëjnë 11.2% të numrit të përgjithshëm të pozicioneve në shërbimin civil të raportuara, janë punësuar studentë të ekselencës.

Këto të dhëna janë bërë publike nga Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil. I njëjti raport nënvizon se nga 99 institucione të administratës shtetërore, konstatohet se nuk kanë pasur të punësuar asnjë student të ekselencës: 29 institucione në vitin 2019, nga të cilat 1 ministri dhe 28 institucione varësie; 65 institucione në vitin 2020, nga të cilat Kryeministria, 4 ministri dhe 60 institucione varësie; 74 institucione në vitin 2021 nga të cilat Kryeministria, 5 ministri dhe 69 institucione varësie.

Lidhur me vlerësimet e punës për studentët e ekselencës që kanë përfituar statusin e nëpunësit civil në periudhë prove, nga informacioni që DAP disponon deri në momentin e këtij raportimi dhe që e ka përcjellë pranë Komisionerit, rezulton se 30% e studentëve ekselentë kanë përfunduar periudhën e provës dhe janë konfirmuar nëpunës civil, prej të cilëve 71% e tyre kanë marrë vlerësimin “Shumë mirë” dhe 29% kanë marrë vlerësimin “Mirë” thuhet në raportin e Komisionerit.