Dita botërore e lirisë së shtypit, të ndalen kërcënimet ndaj medieve
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, selitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur shqiptarë, të cilët përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikëqyrës në një mënyrë të përgjegjshme dhe të punojnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë.
Ambasada amerikane përmes rrjeteve sociale njofton se javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim u takua me gazetarët Edmond Hoxhaj (BIRN Albania) dhe Isa Myzyraj (Ora Neës) për të shprehur mbështetjen e palëkundur për gazetarët e pavarur dhe për të dënuar sulmet direkte dhe indirekte ndaj gazetarëve të cilët kërkojnë të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe të saktë.
Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses dhe pandëshkueshmëria të përfundojë, roli që ka një media e fortë dhe e pavarur është parësor, shprehet ambasada e SHBA-së.
Duke u ndalur në Shqipëri, në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri në deklaratën e tyre të përbashkët bëjnë apel që të mbrohen profesionistët e medias dhe gazetarët nga dhuna, frikësimi dhe ngacmimi, si në internet ashtu edhe jashtë tij, dhe t’u jepet qasje në veprimtaritë publike, edhe gjatë fushatave zgjedhore.
PO ashtu,IOSBE kërkon që të sigurohen kontrata të duhura pune për profesionistët e medias dhe gazetarët, qasje më e mirë në informacion, liria e shprehjes dhe rritja e profesionalizmit;
Në përfundim të deklaratës së përbashkët OSBE bën thirrje që të forcohen përpjekjet për të garantuar pluralizmin e medias, kufizimin e përqendrimit të pronësisë së medias dhe të nxitet vetërregullimi i medias si alternativë shumë më e mirë se sa rregullimi nga ana e qeverisë.
