Festë nën tingujt e Jazzit, “Swing Marathon” rigjallëron Shkodrën pas 2 viteve mungesë
Pas dy viteve mungesë për shkak të pandemisë, në Shkodër kumbuan tingujt e muzikës xhaz. "Swing Marathon” u rikthye në edicionin e 5 duke gjallëruar qytetin.
Një udhëtim që ju ka zgjatur si kurrë më parë, madje edhe me peripeci pasi në Mamurras u aksidentuan.
Por kjo nuk i pengoi që të preknin Shkodrën, në kërkim të një andrre.
Mbi shinat e një hekurudhe të vjetër dhe përmes udhëtimit me tren, thuajse të harruar nga shqiptarët, “Swing Marathon”, shënoi edicionin e pestë.
Dita ndërkombëtare e Jazz-it, gjallëroi rrugët e qytetit përmes ngjyrave, muzikës, vallëzimeve dhe kostumeve të veçanta të protagonistëve të të gjitha moshave.
“Udhëtimi ishte i mrekullueshëm, kemi kërcyer gjatë të gjithë rrugës, kemi bërë muzikë dhe një atmosferë fantastike.”
Duke i përshkuar në këmbë akset kryesore, ndalesa e festimeve ishte zona muzeale e Gjuhadolit.
Të gjithë i duan këto ritme dhe kërcejnë me to.
"Po ndjehem mirë sonte, Jazz-i jep efekt. Kam qenë disa herë në Shkoder dhe vërtetë atmosfera më pelqen. Vitin tjetër do t’ja rekomandoj edhe miqve të mi".
Për disa orë radhazi muzika, vallëzimet dhe ngjyrat e kthyen Shkodrën pas në kohë dhe u shkrinë në një.

