Të vërtetat historike të Voskopojës, përmendet në 13 dokumente të Ali Pashë Tepelenës

Voskopoja përmendet në 13 dokumente të pazbardhura të Ali Pashë Tepelenës. Janë këto gjetjet e prezantuara në botimin më të fundit të Akademisë së Shkencave “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan”0. Akademiku Pëllumb Xhufi shprehet se deri më tani shumë burime reale janë injoruar duke nxjerrë konkluzione të paragjykuara nacionaliste.

Në 13 dokumente të pazbuluara të Ali Pashë Tepelenës përmendet Voskopoja dhe rëndësia e saj, duke e cilësuar atë një pikë strategjike me rëndësi të veçantë ushtarake.

Profesor Doktor Irakli Koçollari përmend dy më të rëndësishmit prej këtyre dokumenteve, ku i pari është mesazhi i dy ushtarëve dhe komandantit të tij drejtuar Ali Pashë Tepelenës.

"Kanë shkuar me këtë mision dhe në informacionin që i dërgon nga Voskopoja ushtaraku Ali Pashës i thotë qartë, Voskopoja dhe fshatrat e Oparit janë nën influencën e pushtetit tuaj", tha Koçollari.

Dokumenti i dytë është një tjetër mision i një ushtari nga Voskopoja.

"Është një informacion i shkruar nga një ushtarak i cili ka shkuar i ngarkuar me detyrë nga Ali Pasha. Rrethanat na bëjnë të kuptojmë që duhet të jetë në ndjekje të grupeve të hajdutëve në atë kohë", tha ai.

“Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan” në një botim konferencial sjellë nga Akademia e Shkencave shpërfaq kulturën dhe historinë e qytetërimit të Voskopojës. Akademiku Pëllumb Xhufi shprehet se deri më tani shumë burime janë injoruar duke nxjerrë konkluzione të paragjykuara nacionaliste.

"Kodiku i Manastirit të Shën Prodromit i zhgënjen keq ata që joshen t'i qasen temës së Voskopojës me paragjykime nacionaliste apo edhe fetare", tha Xhufi.

Referuar punimeve në këtë drejtim, Xhufi nënvizon se shkëlqimi i Voskopojës i përket kohësisht fazës parakombëtare të popujve të Ballkanit.