Shqipëria dhe Kosova, nismë për promovimin e librave shkencorë dhe akademikë

Librat shkencorë dhe akademikë kanë një numër lexuesish të kufizuar megjithatë Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës po bashkëpunojnë për nxitjen e interesit për botime të tilla. Nisma është vlerësuar me optimizëm edhe nga Ambasadori i Kosovës në Shqipëri.

Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës ndërmorën një hap për promovimin e librit akademik duke patur si qëllim afrimin e kësaj gjinie me lexuesin.

"Libri shkencor e ka jetën amoma më të vështirë për shkak se ka një lexues të kufizuar. Me anë të këtij panairi për herë të parë u japim mundësi autorëve, studiuesve, kërkueseve të të gjithë brezave që të jenë krah për krah njëri-tjetrit."

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të librit dhe së drejtës së autorit, po punohet që ky hap te kthehet në traditë.

Drejtoresha e Qendrës së Leximit, Alda Bardhyli, tha se kjo nismë do të jetë me interes edhe për botuesit.

"Janë botime që shkojnë shumë ngadalë te lexuesi dhe çdo promovim i tyre është një ndihmesë e duhur për ti afruar ata me lexuesin, me studentët."

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Dyrmishi u shpreh optimist për këtë bashkëpunim.

"Të njëjtin aktivitet duhet ta përdorim në të gjithë fushat e tjera. Bizneset duhet të bëhen bashkë që të maksimalizojnë shanset para rezistencave, presioneve, tregjeve të tjera. Kur shumëzohet e mira është diçka e mirë për të gjithë."

Zevendëskryetari i Akademisë së Shkencave nënvizoi se vendosja e një komunikimi të drejtëpërdrejtë me publikun është qëllimi kryesor i kësaj nisme për tekstet akademike.