Përkujtohet Ibrahim Kodra, flet miku i tij Fatos Faslliu, tregon si e përballoi sëmundjen e rëndë piktori i madh

Ibrahim Kodra është piktori shqiptar nga Ishmi i Durrësit i cili është cilësuar edhe si "Postkubisti i fundit në Evropë". Një ndër shqiptarët padiskutim më të suksesshëm që ka lënë gjurmë në artin botëror. Ai vihet në radhët e piktorëve që kanë bërë histori si Picaso, Van Gogu etj.

Me rastin e 104-vjetorit të lindjes të piktorit fondacioni “Ibrahim Kodra” së bashku me bashkinë e qytetit të Durrësit në datën 22 prill do të organizojnë një konkurs pikture në rang kombëtar ku do të përfshihen të gjitha shkollat e mesme.

Për të na folur për më tepër rreth këtij organizmi, ishte i ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, drejtuesi i fondacionit Fatos Faslliu.

“Aktiviteti kryesor i fondacionit është mbajtja gjallë e Ibrahim Kodrës. Kemi bërë ekspozita në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Frankfurt, Austri, Lugano. Unë e kam njohur Kodrën dhe i kam qëndruar deri në momentet e fundit të jetës pranë.

Kujtimet me maestron janë të shumta. Atë e dallon thjeshtësia. Shumë i mençur, me shumë kulturë, kishte dashuri të madhe për Shqipërinë.

 Kemi në plan të sjellim një muze modern në Shqipëri. Fokusi i një muzeu modern në Shqipëri, për të sjellë veprat. Do të jetë një pasuri artistike në Shqipëri. Deri tani kemi mbi 400 vepra të certifikuara. Por janë më shumë se 10 mijë. Duhet kohë të mblidhen sepse janë të përhapura në të 5 kontinentet”, tha ai.