Protesta ndahet në dy grupe, në 1 Maj kërkohet t'u jepet mundësia të qëndrojnë në atdhe

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile zgjodhën të protestojnë.

"Festë për çfarë, festë për shfrytëzimin, shtypjen?"

Edhe pse të paktë në numër, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupime si në marshimin e nisur para sheshit "Skënderbej", ashtu dhe në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë.

Me pankarta në duar, ata kërkuan të respektohen të drejtat e punëtorëve, të rriten pagat në mënyrë që të përballojnë jetesën.

"Të rritet paga minimale, punëtorët shqiptarë nuk mund të punojnë më me 300 mijë lekë."

"Nëqoftëse këto punë vazhdojnë kështu e gjithë Shqipëria do të shndërrohet si ato qytetet periferike."

Protestës ju bashkua dhe kjo nënë me 4 fëmijë ku u shpreh se jetesa për të është e papërballueshme.

"Çfarë të marr me 300 mijë lekë? Shkoj në bashki, më përzë."

Ky i moshuar kishte dalë për vajzën e tij, e cila dhe pse ka mbaruar studimet është e papunë.

"Është pa punë, ka mbaruar ekonomikun në shkollë të mesme."

Të pranishëm ishin dhe përfaqësues të Sindikatës së taksistëve dhe minatorëve ku shprehën padrejtësitë e që hasin si pasojë e keqqeverisjes.

"Është ngritur Bordi i Transparencës, janë mbledhur një tufë atje. Çuditërisht llogaritë i bëjnë kaq mirë sa kur e ulin, e ulin 3 lekë dhe kur e ngrejnë e ngrejnë 10 lekë."

"Duhet të ishin përballë punëtorëve dhe jo të rrinë në zyra duke festuar 1 Majin sepse 1 maji është i joni."

Ndryshe nga protestuesit në shesh, politikanët kanë uruar 1 Majin përmes postimeve në facebook, ku një pjesë u ndal te përmirësimi i kushteve dhe pjesa tjetër te akuzat për thellim të varfërisë e shkelje të të drejtave të njeriut.