Operatorët turistikë të shlyejnë detyrimet, Kumbaro nga Vlora: Nuk ka probleme me hapësirat e plazheve
Një ditë para nisjes së sezonit turistik, qeveria i bën thirrje operatorëve të turizmit që të shlyejnë detyrimet e prapambetura në rast se duan të ushtrojnë aktivitetin e tyre këtë sezon. Nga Vlora, ministrja Mirela Kumbaro theksoi se deri tani nuk ka pasur probleme me aplikimet për hapësirat e plazheve.
Një ditë para çeljes zyrtare të sezonit turistik, ministrja Mirela Kumbaro deklaron se deri tani nuk ka pasur probleme me aplikimet për hapësirat e plazheve.
“Nuk më rezulton të ketë pasur problem sepse e kemi filluar procesin më herët se çdo vit tjetër. Puna me Bashkitë ka nisur që në nëntor, hartat janë mbyllur në mes të janarit, nga 27 janari deri më 27 shkurt janë bërë të gjitha aplikimit dhe shqyrtimet e aplikimeve. Nuk i quaj probleme, i quaj pjesë të punës”, tha Kumbaro.
Ajo i bëri apel operatorëve turistik që të shlyejnë detyrimet që kanë si e vetmja mënyrë që ata të mund të startojnë këtë sezon.
“Kemi kërkuar subjekteve të paraqesin dokumentacionin për të shlyer të gjitha detyrimet në shtet të tatimeve në nivel qendror dhe vendor", tha Kumbaro.
Sipas ministres së Turizmit ky do të jetë një sezon turistik i suksesshëm pasi të dhënat janë premtuese.
“Siç e keni parë turistët i keni në territor, kanë filluar dhe që në muajt e parë kemi shifra më të larta se të njëjtët muaj krahasuar me vitin 2021. Besoj se kemi premisë të mira për këtë sezon”, tha ministrja.
